Site icon Telegrafi

Kamionët evakuojnë civilët nga bastioni i fundit i ISIS-it në Siri (Foto)

Një numër kamionësh kanë evakuuar ata që supozohet të jenë civilë nga fshati, që po konsiderohet si bastioni i fundit në Siri i kontrolluar nga grupi i Shtetit Islamik.

Siç shkruan BBC, përcjell Telegrafi, gazetarët në vijën e frontit panë të paktën 15 automjete që mbanin burra, gra dhe fëmijë – duke lënë Baghuzin.

Aleanca e Forcave Demokratike të Sirisë (SDF), e mbështetur nga SHBA, e cila po rrethon zonën, ka thënë se ende nuk e dinte nëse ndonjë luftëtar i ISIS-it ishte midis udhëtarëve.

Megjithatë, një grup monitorimi me bazë në Britani të Madhe tha se besonte se të gjithë civilët dhe militantët që ishin në Baghuz ishin larguar.

Ndërsa Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut përmendi burimet e tij duke thënë se militantët kishin rënë dakord të dorëzoheshin pas negociatave të gjera me SDF.

Ndërkohë, të martën, OKB shprehu shqetësim në lidhje me fatin e rreth 200 familjeve të raportuara të bllokuara në Baghuz.

Shefja e të Drejtave të Njeriut, Michelle Bachelet, tha se ata duket se janë duke u parandaluar në mënyrë aktive të largohen nga ISIS dhe vazhdojnë t’i nënshtrohen bombardimeve intensive nga SDF dhe forcat e koalicionit të udhëhequr nga SHBA.

Më tej raportojnë mediat, një konvoj i rreth 50 kamionëve mbërriti në periferi të Baghuzit, pas deklaratës së Bachelet. Por asnjëri prej tyre nuk u largua deri në mbrëmje, tha agjencia e lajmeve Reuters.

Avionët e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara njoftuan se kanë kryer dy sulme në zonë përpara se kamionët e parë të iknin të mërkurën.

“Ne kemi forca speciale që punojnë për evakuimin e civilëve. Pas shumë ditëve të përpjekjes, ne ishim në gjendje të evakuonim sot grupin e parë”, citohet të ketë thënë zëdhënësi i SDF, Mustafa Bali për agjencinë e lajmeve AFP. /Telegrafi/

Exit mobile version