Site icon Telegrafi

Kamerolli: Përfaqësuesja A, motiv që basketbollistet të luftojnë për 12-shen më të mirë të Kosovës

(Foto: basketbolli.com)

Ëndrra e shumë lojtareve të reja, por edhe atyre me përvojë është bërë realitet. Kosova për herë të parë do të paraqitet me Përfaqësuesen A në konkurrencën e femrave në garat ndërkombëtare.

Kosova pritet të marrë pjesë në FIBA Kampionatin Evropian të Shteteve të Vogla, që do të organizohet në vitin e ardhshëm në Nicosia të Qipros prej 15 deri më 20 Qershor.

Njëra nga basketbollistet më të talentuara në Kosovë është Enisa Kamerolli. Ajo i është gëzuar lajmit që Kosova A është formuar dhe do të luajë në arenën ndërkombëtare.

“Formimi i Përfaqësueses A për herë të parë është diçka që e mirëpresin të gjitha gjeneratat, ku është motiv edhe për gjeneratat e reja të luftojmë për 12-shen më të mirë, si dhe të luajmë së bashku me lojtaret më me përvojë. Kjo do të jetë një ndihmë e madhe për ne. Unë këtë ide e vlerësoj shumë nga ana e Federatës së Basketbollit të Kosovës. Ashtu si edhe për bashkëlojtaret e mia, është një ëndërr e bërë realitet”, ka thënë Kamerolli për faqen zyrtare të FBK-së.

Në FIBA Kampionatin Evropian për Shtetet e Vogla-Femrat në vitin 2020 janë paraqitur për të garuar: Andorra, Qipro, Gjibraltari, Irlanda, Luksemburgu, Malta dhe Norvegjia, por që u anulua për shkak të pandemisë Covid-19. Regjistrimi i shteteve për pjesëmarrje në FIBA Kampionate Evropiane në FIBA Europe do të bëhet si zakonisht, pra ndërmjet muajve Shtator/Tetor 2020.

FIBA Evropa ka kërkuar nga të gjitha Federatat Nacionale që të regjistrojnë ekipet e tyre për vitin 2021, pasi regjistrimet e paraqitura për vitin 2020 nuk do të merren parasysh.

Exit mobile version