Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi ka deklaruar se Komisioni Republikan Zgjedhor ka vendosur që të përsëriten zgjedhjet në Tërnoc. Një javë më parë, Kamberi arriti votat për zgjedhjen deputet në Parlamentin e Serbisë.
Ish-deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Kamberi ka shkruar në Facebook, se pushteti autoritar i Vuçiqit dhe Daçiqit në Beograd po vazhdojnë të përjashtojnë ata pak shqiptarë të mbetur në institucionet shtetërore.
“Vuçiqi dhe Daçiqi dëshmojnë se nuk duan integrim të shqiptarëve në institucione, por kontroll të vendimmarrjes së komunave të luginës për t’ia ngushtuar edhe aty shqiptarëve praninë dhe përfshirjen. Pushteti autoritar i Vuçiqit dhe Daçiqit në Beograd po vazhdon të veprojë për t’i përjashtuar ata pak shqiptarë të mbetur në institucionet shtetërore. Dje instrumentalizuan politikisht Komisionin Republikan Zgjedhor për përsëritjen e zgjedhjeve në vendvotimin nr.6 në Tërnoc të Bujanoci”, ka shkruar Kamberi.
Ai ka bërë të ditur se do të ankohen në Gjykatën Administrativ, duke thënë se Beogradit zyrtar i pengon edhe një deputet i vetëm shqiptar në parlament ku kryesisht janë serbë.
“Keqpërdorimi i mekanizmave shtetëror nga SNS dhe SPS të Qeverisë së Serbisë për t’i përjashtuar shqiptarët nga institucionet shtetërore po shoqërohet paralelisht me përfshirjen e tyre në vendimmarjet e Komunave të Luginës. Çdo ditë e më shumë po dëshmohet se Serbia nuk do shqiptarë në institucione. Në vend të integrimit të shqiptarëve përtej organeve jokomunale, Qeveria e Serbisë po integrohet çdo herë e më shumë në pushtetet komunale të Luginës për t’ia ngushtuar edhe aty shqiptarëve praninë dhe përfshirjen”, ka thënë Kamberi. /Telegrafi/