Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, në emisionin “Radar” në Radio Dukagjini foli për gjendjen e shqiptarëve në Luginë si dhe sfidat me të cilat përballen ata.
Ai tha se shqiptarët përballen me diskriminim sistematik, i cili është vendosur nga vitet e 90-ta me ardhjen e Sllobodan Millosheviqit në pushtet.
“Diskriminimi vazhdon edhe sot me trashëgimtarët e Millosheviqit. Pra, përballja jonë me pushtetin e egër të Serbisë dhe diskriminimin, nuk lë në asnjë moment hapësirë që të mendosh se mund të bëhet më mirë. Me Serbinë edhe mund të arrish marrëveshje, por problemi më i madh është se si t’i realizosh ato”, u shpreh Kamberi.
Sipas tij, nëse bashkësia ndërkombëtare nuk ka monitorim të vazhdueshëm për respektimin e atyre marrëveshjeve që janë nënshkruar, Serbia gjithmonë gjen mënyra për t’iu shmangur obligimeve të veta.
“Duke qenë se bashkësia ndërkombëtare ka në fokus probleme më të mëdha se të drejtat e pakicave, në radhë të parë problemi i Kosovës e tash e kemi luftën në Ukrainë, të drejtat e njeriut si çështje disi është lënë anash”, tha tutje deputeti Kamberi.
Intervistën mund ta ndiqni edhe në kanalin e Radio Dukagjinit në YouTube.