Telegrafi

Kamata për kredinë e FMN-së, rreth dy milionë euro

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, tha se, për fat të keq të qytetarëve të Kosovës, paratë tona të Trustit dhe të AKP-së, që janë më shumë se 1 miliard euro, i kemi dërguar në bankat e huaja pa asnjë përqindje në kamata, ndërsa vendi po hyn në borxhe.

Vizita e fundit 10-ditore e delegacionit të FMN-së në Kosovë, që përfundoi këtë javë, ka rezultuar edhe me një marrëveshje të re, stendby, përmes të cilës Qeveria e Kosovës sërish po hyn në borxhe të reja, sepse po duket se nuk ka para të mjaftueshme në buxhet sipas disa analistëve.

Ata i kritikojnë institucionet tona që nuk po e luftojnë evazionin fiskal, që sipas shifrave zyrtare është galopant, duke arritur në shkallën ndërmjet 35-40 për qind, shkruan Kosova Sot.

Sipas analistëve, në vend se të marrin borxhe, qeveria e vendit fundja e ka për detyrë ligjore dhe kushtetuese që ta luftojnë kontrabandën dhe evazionin fiskal.

Ndërkaq, në përgjigjen e dhënë nga Ministria e Financave mbetet mister se ku do të shpenzohen këto para veç implementimit të prokurimit elektronik që pritet të fillojë në fund të këtij viti, përkatësisht në fillimvitin tjetër. /Telegrafi/