Jeta, martesa dhe fama. Për të gjitha këto këngëtari i muzikës popullore Sinana Hoxha ka vendosur të flasë pa dorashka në emisionin “M’fal për shprehjen” të Elvis Pupës.
Ai ka folur për jetën si emigrant në Greqi, vështirësitë ekonomike dhe punët që ka bërë atje, ndonëse në moshë shumë të re.
E pikërisht duke folur për këtë eksperiencë, ai nuk nguron të tregojë edhe një histori të sinqertë dhe shumë personale me pronarin grek.
“Ika në këmbë në Greqi, më mori në shtëpi një prift, i cili më çon më pas në një familje që merrej me biznes makinash. Detyra ime ishte që të pastroja makinat, t’i fshija, duke qenë se isha i vogël, nuk kisha një punë shumë të rëndë… Një ditë, që ishte shumë ftohtë, pronari më fton në shtëpinë e tij për drekë dhe më thotë përpara se të ushqehemi, futu bëj një banjë. Të gjitha këto me shenja, se unë nuk kuptoja greqisht. Futem unë në tualet, kur ç’të shoh. Ku kisha parë ndonjëherë dush unë, ne ishim larë me pacërk me ujë, edhe atë kur kishte vajguri. Vajta hapa rubinetin e parë, dilte vetëm ujë i ftohtë, më pas e mbylla atë dhe hapa rubinetin tjetër, nga ku dilte vetëm ujë i nxehtë. Aq injorant kemi qenë, sa nuk e dija që duhej të kombinoja ujin e nxehtë me ujin e ftohtë”, tregon ai mes të qeshurash.
E duke vijuar rrëfimin për dushin e parë, Sinani shton “Kam ndenjur më shumë se 10 minuta, duke pritur se mos uji arrinte temperaturën e duhur vetë. Jam larë me ujë të ftohtë. Dola nga tualeti duke u dridhur. Ia sqarova gjysmë shqip, gjysmë me gjeste që nuk kishte ujë. E zonja e shtëpisë nisi të qajë, gjynah tha”.
Ai ka zbuluar se pas emigrimit në Greqi ka pasur edhe një biznes. “Para se të futesha në muzikë, kam pasur një furrë buke, pra kam pas punuar furrtar, kam bërë bukë”, është shprehur mes të qeshurave.