Site icon Telegrafi

Kam mbetur pa fjalët që e përshkruajnë tmerrin e krimeve të Putinit në Ukrainë

Andrey Kurkov

I kujtojmë furrtarët e vrarë, punonjësit e postës, vullnetarët e strehimoreve të kafshëve dhe themi: do të ketë drejtësi.

Andrey Kurkov, romancier ukrainas / The Guardian
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Më parë, unë me gruan time rrallë hanim bukë. Të paktën kur nuk ishim në fshatin larg shtëpisë sonë në Kiev, ku ndonjëherë i kalonim fundjavat. Buka që e blinim në fshat ishte gjithmonë më e shijshme se ajo e qytetit. Në fshatrat e Ukrainës është një traditë e vjetër për të pasur bukë të bollshme në tryezë, për ta ngrënë me gjalpë e kripë ose për ta zhytur në qumësht. Buka e zhytur në qumësht të freskët lope u jepej edhe fëmijëve të vegjël, e ata kënaqeshin me të.

Qëkur arritëm në Ukrainën perëndimore, ku si qindra-mijëra bashkatdhetarë tjerë familja ime po e kërkon sigurinë relative, e shohim veten duke ngrënë shumë e më shumë bukë se më parë.

Djemtë tanë gjithmonë e kanë dashur bukën e freskët. Kënaqeshin kur bënin dhe hanin sandviçë. Në dyqanin e fshatit e blinim bukën tonë të preferuar Makariv – bukë e butë, e bardhë, në formë tulle. Është pjekur në furrën e njohur “Makariv” që është 20 kilometra larg fshatit tonë. Herë pas here mund ta gjenit këtë bukë në Kiev, por vetëm në dyqane të vogla në qoshe, jo në supermarkete.

Ka ca ditë që mendoj për bukën Makariv, duke ia kujtuar shijen. Tek tash, kur e kujtoj, e ndjej shijen e gjakut në buzët e mia, sikur kur isha fëmijë e kur dikush ma çante buzën në ndonjë përleshje.

E vërteta është se furra e bukës “Makariv”, ditë më parë u bombardua nga trupat ruse. Bukëpjekësit ishin duke punuar. Mund ta imagjinoj aromën që i rrethonte në momentin para sulmit. Në një çast, 13 punonjës të furrës u vranë dhe nëntë u plagosën. Furra e bukës nuk ekziston më – “buka e Makarivit” është gjë e së kaluarës.

Ka kohë që kam ngelur pa fjalë për ta përshkruar tmerrin që Putini solli në tokën ukrainase. Ukraina është vendi i bukës dhe i grurit. Edhe në Egjipt, buka dhe ëmbëlsirat bëhen duke e përdorur miellin ukrainas. Është koha kur duhet t’i përgatitim arat për mbjellje, por kjo punë nuk po bëhet. Dheu i arave të grurit është përplot me metal – copa predhash, copa tankesh dhe makinash të hedhura në erë, mbetje aeroplanësh të rrëzuar dhe helikopterë. Dhe, gjithçka është mbuluar me gjak. Gjaku i ushtarëve rusë që nuk e kuptojnë se për çfarë po luftojnë, dhe gjaku i ushtarëve e civilëve ukrainas që e dinë se, nëse nuk luftojnë, atëherë Ukraina nuk do të ekzistojë. Në vend të saj do të jetë një varrezë me një kasolle ku do të ulet për ta ruajtur një lloj guvernatori i përgjithshëm që dërgohet nga Rusia.

Buka është përzier me gjak edhe në Çernihiv, kur bombarduesit rusë hodhën bomba pa precizion në një shesh pranë një dyqani buke. Njerëzit ishin jashtë të rreshtuar, në pritje për të blerë bukë të freskët e të ngrohtë. Dikush doli nga dyqani me një çantë të mbushur. Shumë njerëz vdiqën në këtë bombardim. Amnesty International e ka dokumentuar këtë krim të kryer nga ushtria ruse. Çdo ditë lista e krimeve bëhet më e gjatë, teksa veprimet e Putinit shtohen dita-ditës – vrasja e vullnetarëve të rinj që çonin ushqim në strehën e qenve në Hostomel; vrasja e postierëve që ua shpërndanin pensionet banorëve të moshuar në rajonin Sumi; vrasja e pesë personave në një sulm në kullën televizive në Kiev. Lista vazhdon e vazhdon. Sigurisht, ende nuk dimë për të gjitha krimet që janë kryer, por patjetër do të mësojmë për të gjitha këto dhe lista do të prezantohet në një gjyq të ri të Nurembergut. Nuk ka rëndësi se ku zhvillohet. Kryesorja është që e dimë se kush do të gjykohet.

Juristët ndërkombëtarë tashmë kanë filluar të mbledhin prova të krimeve. Ukrainasit e presin me padurim vendimin për vrasësit dhe për kriminelët e luftës. Por, tash për tash, ata duhet të mbijetojnë nën granatimet e ushtrisë ruse. I kalojnë netët e tyre në bodrume, në strehimore për bomba, në banjo – këshillat e fundit që qarkullojnë në internet thonë se në rast të një sulmi me bomba, vendi më i sigurt është të jesh brenda vaskës ose në korridoret e brendshme ku nuk ka dritare.

Banorët e Kievit, befas janë bërë më të lidhur me metronë e tyre, një nga më të bukurat e më të thellat në botë. Metro nuk është më formë transporti – është parajsë, si diçka nga një film apokaliptik. Është i mbuluar me shenja të pranisë së përhershme të “pasagjerëve” që nuk udhëtojnë dhe kudo ka hapësira banimi. Platformat e stacionit po kthehen në kinema ku shfaqen filma falas – në mëngjes filma për fëmijë e gjatë ditës filmat për audiencë më të gjerë. Ekranet e mëdha tashmë janë varur ose janë duke u varur në 14 stacionet e metrosë së Kievit. Ka furnizim të vazhdueshëm me çaj, interneti tashmë është aty, por lidhja është e dobët. Nuk ka tualete të mjaftueshme, por njerëzit nuk ankohen kur presin 40 minuta në radhë – ose më shumë. Të gjithë presin me durim. E presin fundin e luftës dhe fillimin e gjyqit – një gjyq që gjithë bota duhet ta ndjekë, siç e ndoqi e gjithë bota atë të Nurembergut.

Po, në Rusi, çfarë mendojnë ata për procedurat e ardhshme gjyqësore? Kam frikë se fare nuk mendojnë për këtë. Janë të zënë duke blerë dollarë dhe euro. Sanksionet që cak kanë sektorin bankar, kanë bërë që vlera e rublës të bie në mënyrë dramatike, duke shkaktuar edhe panik. Paniku vihet re edhe në kufirin ruso-finlandez, përmes të cilit shumë rusë po përpiqen të largohen nga atdheu. Janë ata që kanë turp të qëndrojnë në Rusi dhe ata që mund të mobilizohen në ushtri; ata që nuk duan të vdesin, nuk duan të vrasin ose nuk duan të jenë mish për top për Kremlinin.

Disa ushtarë të kapur rusë kanë kërkuar leje për të qëndruar përgjithmonë në Ukrainë. “Burgu na pret, nëse kthehemi!”, thonë ata.

Në kufijtë e Ukrainës me Moldavinë, Rumaninë, Hungarinë, Sllovakinë dhe Poloninë, ka ende radhë refugjatësh. Thuhet se disa ukrainas po përpiqen të largohen nga vendi duke përdorur pasaporta të rreme ruse. Këta janë ata që po ashtu nuk duan të luftojnë. Nuk do t’i gjykoj. Le t’i gjykojë koha dhe historia, që të gjithë. Më vjen mirë që në këto kohë kaq të rënda, shumica e ukrainasve e kanë ruajtur humanizmin dhe përpiqen ta ndihmojnë njëri-tjetrin. Është shpallur mobilizimi, por askush nuk futet me forcë në ushtri. Ata që duan ta mbrojnë atdheun e vet, shkojnë në zyrat e regjistrimit ushtarak dhe futen në lista. Të shumtën e herëve kërkohet nga ata ta lënë një numër telefoni dhe të presin për një telefonatë. Ka shumë nga ata që duan t’i luftojnë pushtuesit, por jo të gjithë nga ata që duan të luftojnë janë tamam të gatshëm të marrin pjesë në aksionet ushtarake.

Ditët e fundit kam frikë ta hap Facebook-un. Gjithnjë e më shpesh, në hapësirën e lajmeve, i shoh postimet e grave të reja ukrainase që e shprehin dashurinë për burrat e vrarë së fundmi. I njoh disa nga këto gra dhe i kam takuar burrat e tyre. Pa qarë nuk mund t’i lexoj këto thirrje dëshpërimi, të hedhura në pusin e pafund të internetit.

Por, nuk mund as të mos i lexoj. Dua të shoh e të dëgjoj gjithçka që tash ndodh në vendin tim. E di që në Melitopolin e pushtuar, në jug të Ukrainës, kanë filluar arrestimet e aktivistëve tatarë të Krimesë dhe të qytetarëve aktivë. E di që punëtorët e centralit bërthamor të Çernobilit, mbahen brenda stacionit – nga pushtuesit rusë; se atyre ua kanë marrë celularët dhe se nuk lejohen të dalin nga stacioni për më shumë se një javë. Propagandistët e televizionit të Moskës shkuan atje për të bërë lajme, nën mbrojtjen e ushtrisë ruse. Nuk e di çfarë thonë në Rusi për këtë luftë, për centralin e pushtuar bërthamor të Çernobilit, për termocentralin e kapur të Zaporizhia i cili ende është në funksion. Për çfarë ju duhet ky instalim joushtarak bërthamor? A po bëhen gati ta shantazhojnë Ukrainën dhe botën? Pse po i bombardojnë spitalet dhe shkollat ​​e fëmijëve? Pse shkatërrohen zonat e banuara të Çernihivit, Borodiankës, Kharkivit dhe Mariupolit? Pse, në fund të fundit, po i bombardojnë furrat e bukës dhe dyqanet e bukës? Nuk kam përgjigje për këto pyetje.

“Me mendjen tënde nuk mund ta kuptosh Rusinë”, shkroi poeti rus i shekullit XIX, Fyodor Tyutchev.

Pajtohem me të, por e kam një pyetje: Si mund ta kuptojmë Rusinë, nëse mendja nuk ndihmon? /Telegrafi/

 

Exit mobile version