Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala ka replikuar me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli lidhur me ndërmarrjen Trepça.
Deputeti Shala i tha ministres se e ka lënë konton e kësaj ndërmarrje me 15 milionë euro cash. Ndërkaq, ministrja Rizvanolli tha se Trepça ka ende vështirësi në mbulimin e këtyre shpenzimeve.
Në seancë plenare, deputeti i PDK-së ka pyetur ministren Rizvanolli se cila është gjendja e minatorëve dhe sa i përket performancës së ndërmarrjes.
“Si është gjendja atje e minatorëve, a kanë marrë licencë, sa inxhinier i ka në bordin menaxhues, pse ka ardhur në këtë gjendje kur para një viti ministrja doli në konferencë për media dhe tha po performon ndërmarrja në mënyrën më të mirë të mundshme. Cila është performanca e ndërmarrjes sot, që sa ditë dhe si do të veprojë për ditët e humbura nga greva, pse po ndjeken dhe persekutohen ekspertët e ndërmarrjes si inxhinier dhe cili është opsion. Si pret kjo, a i ka zbuluar ende hajnat në Trepçë”, ka pyetur Shala.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se Trepça është duke u prodhuar me kapacitet në rritje në krahasim me muajt e kaluar.
“Në Trepçë shpenzimet mujore aktualisht arrijnë 1.5 milion euro, ku rreth 1 milion janë shpenzime për paga, ndërsa shpenzime të tjera rreth 500 mijë euro. Ndërmarrja ende ka vështirësi në mbulimin e këtyre shpenzimeve dhe rrjedhimisht në muajt e fundit është fokusuar në riorganizimin dhe sistematizimin e punëtorëve në vendin e punës, në të cilin janë pranuar dhe në kthimin në kontratën bazë në të cilën kanë qenë…Menaxhmenti i ri ka përpiluar edhe një plan për muajt në vijim i cili në njërën anë synon uljet e shpenzimeve, një mënyrë në të cilën kjo po bëhet është edhe duke larguar nga listat e pagave punëtorët të cilët është kuptuar që nuk kanë qenë në punë madje me muaj e vite por që janë paguar nga Trepça. Mirëpo, edhe duke marrë masa disiplinore për shkelje të detyrave, duke përfshirë këtu edhe raste për dyshime në manipulime ne tender dhe keqpërdorime të detyrë”, deklaroi Rizvanolli.
Më pas ka reaguar deputeti Shala, i cili tha se ministrja nuk u përgjigj në asnjërën nga pyetjet e tij.
“Nuk na u përgjigje për gjithë këto masa ndëshkuese që po merr pa asnjë bazë dhe pa asnjë analizë. Nuk na the asnjë shifër sa në të vërtetë ke investuar në investime kapitale dhe ju e dini që e kam lënë atje me 15 milionë euro cash në kontot e Trepçës”, u shpreh ajo.
Për këtë ministrja Rizvanolli tha se 15 milionët kanë qenë nga shitja e mbetjeve, për çka tha se nuk e synojnë si qeveri. /kp/