Site icon Telegrafi

Kalvari i qytetarëve të Shqipërisë, të infektuar me Covid-19

Ilustrim

Qytetarët shqiptarë, sipas protokolleve të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë, nëse kanë shqetësime të ngjashme me simptomat e Covid-19-shin duhet te telefonojnë numrin 127, që është urgjenca kombëtare.

Qytetari telefonon 127, nga urgjenca marrin përgjigjen standarde: rri në shtëpi dhe komuniko me mjekun e familjes.

Qytetaret telefonojnë mjekun e familjes, mjeku me të drejtë kur dyshon për diagnozën i njofton se duhet bërë tamponi, skaneri pulmonar, analizat biokimike në mënyrë që të vendosin diagnozën e saktë dhe të fillojnë mjekimin përkatës. Sigurisht që kjo është gjëja e duhur profesionale e shkencore për të vendosur terapinë dhe mënyrë e trajtimit në kushtet e shtëpisë apo hospitalizimin e pacientit.

Qytetari, në bashkëpunim edhe me mjekun e familjes, telefonon përsëri 127 dhe kërkon të bëhet tamponi, pasi këtë kërkon edhe mjeku i familjes. 127-sha përgjigjet qëndroni: në shtëpi, pini paracetamol e Vitaminë C dhe do vijmë e të marrim tamponin.

Në rastin më të mirë, për tre deri në pesë ditë, punonjësit e shëndetësisë paraqiten për t’i marrë tamponin qytetarit, ndërkohë që në shumicën e rasteve gjendja shëndetësore e pacientit vazhdon e rendohet.

Më në fund merret tamponi, qytetari pret përgjigjen e cila vonon gjithashtu tre deri në pesë ditë të tjera. E, kështu, për gjashtë deri në dhjetë ditë vazhdon kalvari i të gjithë qytetareve që i zë ky hall.

Nga ana tjetër, në shumë raste gjendja shëndetësore, psikologjike e për pasojë edhe ajo imunitare, vijnë dhe përkeqësohen, ndërkohë që virusi gjen terrenin e përshtatshëm për të përparuar në organizmin e të infektuarve.

Kjo është me kuptimin e plote të fjalës: aleancë me virusin.

Ata që kanë fatin e mirë në përgjigje imunitare të fortë dhe reagim të mirë nga mjekimi, e kalojnë pa pasoja dhe bëhet ritestimi pas 14 ditëve nga dita që ka rezultuar tamponi pozitiv, që detyrohen të presin edhe për katër deri në gjashtë ditë të tjera për të marrë përgjigjen e ritestimit, në mënyrë që të quhen të shëndosh dhe të lirë për të vazhduar jetën normale.

Pra, ky kalvar zgjat rreth 30 ditë për ata që janë me fat të mirë e organizëm rezistent. Pjesa tjetër përfundojnë në spitale, në reanimim apo intubim, dhe kryesisht si pasojë e vonesave të jashtëzakonshme të lartpërmendura. Të sëmuret e hospitalizuar janë një kalvar tjetër vuajtjeje e dhimbjeje për ata dhe familjaret e tyre.

Jam shprehur disa herë e nuk po ndalem as tani: kjo situatë keqmenaxhimi ka bërë që qytetarët të humbin totalisht besimin në institucionet shëndetësore publike. Qytetarët që kanë mundësi ekonomike, kanë kohë që po e zgjidhin këtë hall, në mënyrë private, duke u diagnostikuar në kohë e për pasojë duke u mjekuar në kohë në kushtet e shtëpisë.

Por, duhet përmendur që shumica e qytetarëve shqiptare nuk e kanë këtë mundësi, pasi ka një kosto mjaft të lartë.

Për kujtesë dhe thirrje për Qeverinë që të marrë masat sa me shpejt, po bëj një përllogaritje të thjesht të kostos së diagnostikimit dhe mjekimit për një person të prekur me koronavirusi.

Tamponi: 100 euro; skaneri: 100 euro;analizat biokimike që do kontrollohen dy deri ne tre herë: mbi 100 euro, përcaktimi i diagnozës, minimalisht kushton 300 euro. Terapia bazë e trajtimit të konsiston kryesisht në kombinimin e barnave të mëposhtme, por kuptohet në varësi të simptomave, gjendjes, sëmundjeve të tjera të mbivendosura dhe analizave biokimike: Antiviral, antibiotik, antikoagulant, kortikosteroide, vitamino terapi etj. Në varësi edhe të nevojës së kohëzgjatjes së trajtimit, minimalisht ka kosto 300 euro. Sigurisht që trajtimi në kushtet e shtëpisë kërkon edhe pajisje mjekësore, si: glukometër, oksimetër, aparat tensioni, termometër, në shumë raste edhe aparat oksigjeni… Kostoja minimale e tyre shkon 400 euro. Ky trajtim sigurisht kërkon edhe personel shëndetësor në mënyrë të vazhdueshme që përsëri do ta sigurosh vetë.

Në total ky trajtim në shtëpi, në rastin më të mirë i kalon 1200 euro. Shumica e familjeve shqiptare nuk i kanë këto mundësi financiare. Prandaj, Qeveria duhet të marrë masa të menjëhershme pasi situata është jashtëzakonisht e rëndë…

Exit mobile version