Departamenti i Krimeve të Rënda i Policisë në Prishtinë, ka dorëzuar Kallëzim Penal në Prokurorinë Themelore të Gjakovës, ndaj personave të panjohur në lidhje me vrasjen e Elvis Pistës.
Ish-kandidati i PDK-së për deputet në Kuvendin e Kosovës është vrarë dy vjet më parë në oborrin e një restoranti në Rahovec.
Ushtruesi i detyrës i kryeprokurorit të Gjakovës, Ali Selimaj, thotë se ndonëse janë intervistuar mbi 90 persona dhe janë ekzaminuar qindra prova, ende nuk është identifikuar personi që vrau Elvis Pistën.
“Janë intervistuar mbi 90 dëshmitarë në rastin Pista; janë ekzaminuar me dhjetëra prova – edhe në botën e jashtme; janë ekzaminuar me qindra prova materiale, mirëpo fatkeqësisht nuk kanë rezultuar me ndonjë dyshim të arsyeshëm ndaj ndonjë personi apo personave të caktuar”, ka thënë Selimaj, duke shtuar se do të ishte njeriu më i lumtur nëse do të arrijë të zbulojë autorët e kësaj vrasjeje.
Elvis Pista u vra më 15 qershor 2014 pasi doli nga restoranti “Jaha Petrol” në Rahovec, ku po qëndronte bashkë me gruan dhe disa miq. Policia atëherë njoftoi se Pista u qëllua me katër plumba nga një armë me shurdhues. /kallxo/