Nga Sektori për Punë të Brendshme në Ohër bëjnë të ditur se kanë parashtruar kallëzim penal ndaj 49-vjeçarit D.LL. nga Shkupi, i punësuar në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve, që dyshohet për keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar dhe falsifikim të dokumentit zyrtar, si dhe ndaj 38-vjeçarit B.A. nga Shkupi, që dyshohet për ndërtim të pa rregullt.
“Gjatë vitit të kaluar, D.LL. në cilësinë e zyrtarit – punonjës në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve, në kundërshtim me ekstraktin nga PDU për qytetin e Ohrit, ka futur të dhëna të rreme, me ç’rast të dyshuarit të dytë i ka lëshuar leje për ndërtimin e një ndërtese për banim individual në Ohër. B.A. si pronar dhe investitor në objekt, pa dokumentacionin e nevojshëm teknik ndërtimor, ka ndërtuar më shumë kate se sa lejohej, me çka të dy kanë realizuar përfitim pasuror të paligjshëm”, thonë nga SPB-Ohër.