Telegrafi

Kallëzim Penal kundër Lubisha Dikoviqit për masakrën në Rezallë (Video)

Familjarët e viktimave të masakrës së Rezallës kanë dorëzuar Kallëzim Penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës ndaj dy serbëve të akuzuar, Lubisha Dikoviqit, komandant i Brigadës 37 në Armatën Jugosllave dhe Dejan Rangjelloviqit, komandat i Batalionit të dytë të kësaj Brigade.

Familjarët i bëjnë përgjegjës të dy komandantët, për vrasjen dhe masakrimin e 41 civilëve shqiptarë më 2 prill 1999.

Avokati Arianit Koci ka thënë se është koha e fundit që të ndalen fjalët dhe të veprohet.

Ai e ka ftuar Prokurorinë që të punojë dhe që gjykatat ta gjykojnë këtë rast, raporton KTV.

Koci ka thënë se ka fakte dhe dëshmitarë për dyshimet, të cilat i ka shkruar në padi, transmeton Koha.net.

Në emër të familjarëve ka folur Rrustem Rukolli.

Ai ka kërkuar që të zbardhet e vërteta dhe kryesit e kësaj masakre të sillen para drejtësisë.

I akuzuari kryesor i këtij kallëzimi penal, Dikoviq, aktualisht është shef i Armatës Serbe dhe në fillim të këtij viti ishte në Kosovë në një takim me komandantin e KFOR-it.