Kalimi në vetura elektrike mund t’i kushtojë Gjermanisë me humbjen e 410 mijë vendeve të punës deri në vitin 2030.
Siç raporton Reuters, përcjell Telegrafi, vetëm në sektorin e prodhimit të motorëve dhe transmisionit të veturave rrezikohen të largohen rreth 90 mijë punëtorë.
Aktualisht motorët e makinave elektrike janë duke u prodhuar me më pak pjesë dhe kërkojnë më pak mirëmbajtje sesa motorët me djegie, gjë që do të rezultojë me largimin e shumë punëtorëve.
“Prodhimi i automjeteve do të automatizohet më tej dhe nuk do të jetë i mjaftueshëm për të mbështetur nivelin aktual të vendeve të punës”, tha Henning Kagermann nga NPM.
Në vitin 2018, punësimi në industrinë e makinave në Gjermani arriti në 834 mijë punëtorë dhe ishte më e larta që nga viti 1991.
Prodhimi gjerman i makinave, i cilësuar si themeli i ekonomisë vendase dhe gjithë Eurozonës, ishte veçanërisht i ulët vitin e kaluar, për shkak të nivelit shumë të ulët të eksporteve, që ka goditur kërkesën për automjete.
Sipas Autoritetit Përgjegjës për Industrinë e Makinave e njohur si VDA, prodhimi i tyre shënoi në muajin dhjetor 2019 nivelin më të ulët në gati një çerek shekulli. /Telegrafi/