Telegrafi

Kalimi fantastik dhe asistimi i Celinës në triumfin e Ipswichit (Video)

Mesfushori shqiptar, Bersant Celina, ka shkëlqyer në ndeshjen e Ipswich Town në kuadër të Kupës EFL që u zhvillua të martën mbrëma në Kenilworth Road.

Skuadra e lojtarit nga Kosova luajti si mysafire e Luton Town në kuadër të 1/64 së finales të kësaj gare që quhet edhe si Carabao Cup dhe fitoi me rezultat 2-0.

Golashënuesi i dyfishtë, David McGoldrick (Twitter)

Të dy golat i shënoi David McGoldrick, nga një në secilën pjesë (34’ dhe 90’+3).

Mirëpo, goli i parë ishte krejtësisht meritë e Celinës, i cili bëri lëvizje të mrekullueshme duke e nxjerrë në rast bashkëlojtarin e tij, i cili nuk e pati të vështirë ta fuste topin në rrjetë.

Në videon e mëposhtme ju ftojmë të ndiqni veprimin e mrekullueshëm të lojtarit që është në pronësi të Manchester Cityt. /Telegrafi/