Për shkak të bllokadës në kalimin kufitar Evzoni, Qeveria e Maqedonisë ka sjellur vendim që derivatet e naftës nga kufiri jugor, të cilët për momentin po hyjnë vetëm në kalimin kufitar Bogorodica, të mund të hyjnë edhe në kalimet Mexhitlija dhe Dojran. Zëdhënësi i Qeverisë, Aleksandar Gjorgjiev njoftoi se kjo masë, e cila është shkaktuar si pasojë e grevës në Greqi, në fuqi do të jetë deri më 5 mars 2017, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Qeveria në seancën e sotme solli vendim që të mundësohet kalim transit i derivateve të naftës, përmes kalimit kufitar Bogorodica dhe Mexhitlija dhe Dojran, me çka mundësohet numër më i madh i alternativave të cilat mund të shfrytëzohen nga transportuesit”, deklaroi Gjorgjiev.
Për zbatimin e këtij vendimi Qeveria ka angazhuar Drejtorinë Doganore të Maqedonisë të sigurojë kuadër në teknikë dhe logjistikë për funksionim normal në të dy kalimet, për shkak se do të rritet frekuentimi, ndërsa MPB-ja duhet të sigurojë komunikacionin dhe të drejtojë kamionët që futen në këto kalime kufitare./Telegrafi/