Site icon Telegrafi

Kalendari i festave të BDI-së

Plisi është pjesë e etnografisë kombëtare dhe nuk është fare më i rëndësishëm se tirqit apo xhamadani! Shih për këtë, këta të BDI-së kanë vendosur që në kalendarin partiak të tyre të kenë shënim edhe të Ditës së Opingave, të Shallvares, Dita e Brezit, Dita e Tirqve, e Xhamadanit, e Benevrekëve…

Këto ditë, edhe një herë e pamë show shund-in e hipokritëve të BDI-së se si festohet një ditë e kësaj partie duke u munduar t’i japin karakter mbarëkombëtar! Këta të BDI-së definitivisht janë të pashpirt në aspekt të manipulimit me masën.

Sa herë që i kanë punët në zgrip, sa herë që bëjnë tradhti kombëtare, sa herë që u bëhen urë maqedonasve për të kaluar në terrenin e serbëve, sakaq mundohen të shesin dëngla patriotike – nisin dhe festojnë Ditën e Plisit, apo hedhin gurëthemel të ndonjë sheshi, si ai i Pehlivanit, si ai i Skënderbeut, thuajse po bëjnë vepra grandioze e monumentale kombëtare! Duhet t’u zgjatet dora – manipulatorë të përkryer.

I bënë qindra dështime në planin kombëtar për këtë mandat sa janë vasalë të Gruevskit, ndërsa krejt këtë vasalitet mundohen ta kamuflojnë me një shesh, me një fakultet të dispersuar (mjerë fakultetet që janë në fund të listave ndërkombëtare), e thërrasin policinë serbe të kontrollojë terrenet shqiptare, ndërsa ta përkujtojnë rastin e Brodecit.

Asnjë qytetar i Brodecit deri më sot nuk ka dëshmuar se atë intervenim policor e ka inskenuar ndonjë parti tjetër apo lider, të gjithë brodecasit si dhe të burgosurit nga ky katund dëshmojnë se kjo lojë është luajtur nga Ali Ahmeti dhe bashkëpunëtorët e ngushtë të tij. Bagazhi i tradhtisë së këtyre njerëzve tashmë është aq i madh sa që është i pashëm dhe i prekshëm për secilin shqiptar anekënd botës.

Ndaj, me sa fytyrë pranojnë të dalin në skenë, me plis të bardhë, e të aktrojnë se vijnë nga fushëbetejat ku u kanë vdekur shokët, ku shokët kanë hequr plumba nga trupat e tyre, ku shumë shokë kanë ngelur pa gjymtyrë… Vetëm Ali Ahmeti me tender-shokët e vet paskan qenë të pakapshëm nga plumbat, vetëm këta paskan marrë bekimin që t’i çojnë tutje projektet shqiptare.

Ta bashkojnë edhe Çamërinë me Shtetin Amë! E kënaqën me bashkimin e trojeve shqiptare të Maqedonisë me ato të Shtetit Amë. Ishte tepër komike, madje edhe vajtuese çasti i show-it në mes të Ali Ahmetit dhe “shfercërit” të dikurshëm, inspiruesit të ngritjes së kishës në Kala të Shkupit, Artan Grubit. Lideri i partisë dhe shefi i kabinetit të tij bëjnë “emision televiziv”. Gjë më të turpshme nuk ka ndodhur!

Një duzinë figurash në atë sallë të Teatrit që u panë në atë manifestim ishin njerëz me të kaluar të shëmtuar, fuksa, të dyshimtë. Edhe kodoshë edhe me plis të bardhë??? Historia kombëtare (jo kjo komuniste) njeh shumë kodoshë të cilët gjithnjë kanë qene nën plis të bardhë. Plisin, si pjesë të veshjes kombëtare, e kanë pasur maskë kryesore për kamuflimin e aktiviteteve prej spiuni që i kanë ushtruar brez pas brezi. Nuk thonë kot: një herë spiun përjetë spiun!

Duke u munduar që “Ditës së Plisit” t’ia japin peshën e manifestimit nga kalendari gjithëkombëtar i festave, Ali Ahmeti përpiqet të luaj rolin e një prijësi gjithëkombëtar, ndonëse është tepër i diskutueshëm, njeri që kurrë nuk pati guxim ta padisë në gjyq Bozhidar Spasiqin, i cili pareshtur kërkonte ballafaqim me të nëpër gjyqet e Maqedonisë.

Etnologjia kombëtare shqiptare është një nga lëndët më të pasura në botë për sa i përket elementeve të veshjes kombëtare. Vetëm në Shqipëri janë të njohura 26 lloj veshjesh kombëtare, në Kosovë janë 15, në Maqedoni janë 7-8 lloj veshjes që dallojnë, së këndejmi edhe plisat janë të llojllojshëm. Vetëm opingat janë identike, për secilin rajon, me përjashtim të disa opingave që janë me xhufka e që u afrohen opingave tradicionale greke.

Vërtet kur do ta nisë Ali Ahmeti “Ditën e Opingave”, pastaj një ditë mund ta pagëzojë edhe “Dita e Skutaqes”, një tjetër “Dita e benevrekëve”, një tjetër “Dita e shallvareve”, një tjetër “Dita e Bithores” (pështjellak që vihet mbi vithe e që mbahet në zonën e Rugovës”… Ka shumë ditë në të cilat Ali Ahmeti mund të dalë “patriot”, por, kështu siç po shkojnë punët, për çudi ditë i duhet ta bëjë nga një tradhti, sepse, ai feston vetëm kur duhet ta kamuflojë tradhtinë ditore.

Çfarë turpi – miraton ligjin për lejimin e komandimit të policisë serbe në tokat shqiptare dhe pastaj, pa asnjë gram cipe, del dhe feston brenda një dite tri festa: Ditën e plisit, 4 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës si dhe 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Njerëzit normale vazhdimisht festimeve të tilla ju paraprijnë me ndonjë ngjarje e rezultat konkret, historik!

Është manipulim i rëndë nëse 100 vjetori i Pavarësimit nuk pritet me gjëra konkrete, psh me miratimin e ligjit për festë kombëtare të 28 Nëntorit, me miratim të Ligjit për Gjuhën Shqipe (jo për gjuhën e matematikave), me miratimin e Ligjit për veteranët, invalidët dhe familjarët e konfliktit të 2001-shit, me miratimin e Ligjit për Flamurin Kombëtar, me miratimin e sërë ligjesh që ta kthejnë krenarinë dhe dinjitetin shqiptar dhe jo me ligje që u japin të drejtë absolute serbëve që në tokat shqiptare në Maqedoni të kryejnë përgjime, kontroll e përndjekje policore.

Exit mobile version