Telegrafi

Kah po vijnë paret?

Sipas gazetës Express, premtimet e Qeverisë se Kosovës në shkuarje për rritje pagash të shërbyesve civilë, arsimit dhe së fundi pensionistëve minatorë, vijnë pak ditë pas kritikave të ndërkombëtarëve për rritje enorme të shpenzimeve qeveritare.

Për më tepër, njohës të çështjeve ekonomike e kanë të paqartë se kah do të sigurohen gjithë këto mjete, në kohën kur e ardhmja e buxhetit të Kosovës për në mot është shumë e paqartë. Së pari nuk dihet kur do të miratohet dhe cilat do të jenë prioritetet që do të financohen.

Eksperti Musa Limani tha se këto premtime po bëhen, duke mos e ditur në anën tjetër se çka do të ndodhë me buxhetin e vitit 2011. Sipas tij, niveli i pagave caktohet në bazë të nivelit të çmimeve dhe kjo kurrsesi nuk është çështje e individëve, kushdo qofshin ata.

Premtimet për rritje pagash nisen në arsim. U premtua që punonjësve arsimorë do t’u rriten pagat për 50 për qind dhe 30 për qind shërbyesve civilë.

Edhe Bekim Marmullaku, ekspert i ekonomisë, tha se premtimet në këtë kohë janë më shumë pjesë e fushatës zgjedhore. Ai thekson se ka shumëçka të paqartë nga këndvështrimi ekonomik. Të rritja e pagave në arsim, Marmullaku thekson se nuk dihet ende se nga cila linjë buxhetore mendohet të realizohet rritja e të ardhurave, si dhe a ishte kjo rritje e planifikuar me Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave.

“Dhe të dihet se kjo rritje a do të bëhet nga 20 milionë eurot që u alokohen komunave për sektorin e arsimit”, tha ai. /Telegrafi/