Është detyrë e opozitës me e “zgju” qytetarin. Ama, kohën e fundit po duhen qytetarët me e “zgju” opozitën, me i mbrojt votat e tyre.
Ka kohë që opozita nuk po dëgjohet. Duket i ka mbaruar energjia për kundërpërgjigje ndaj veprimeve të Hashimit. E nisen një mocion sa për sy e faqe. Si duket një njeri u është bërë i tepërt. Atë e shohin gjithkah, diku duke bërë "selfie" e diku në Brezovicë me familjen e tij, e menjëherë shihet në qeveri për ngritje pagash a ulje pagese për studentë. Pastaj shihet si vizitues i rregullt i bizneseve e prodhuesve vendorë. Kur them i rregullt nënkuptoj tash e një muaj dhe do të jetë i tillë deri në ditën e zgjedhjeve. Pastaj nuk i dihet.
Athua a i siguroi votat e 60.000 studentëve të UP-së?
A i siguroi votat e punëtorëve të Fabrikës së Tubave (e rrjedhimisht edhe të punëtorëve të NSH-jave tjera në Kosovë)?
Po të shërbyesve civilë të cilët ia kanë parë “hairin” me rritje të pagave?
Ku janë analizat ekonomike të Isa Mustafës, i cili dorën në zemër është zhdukur? A nuk është pretendent për postin e Kryeministrit? A ende mendon të lidh koalicion me parti të tjera se vet nuk po ja merr mendja me i dalë para Hashës? A ende është i tronditur nga humbja e Prishtinës të cilën priti ta fitojë me duar në xhepa? E nëse pas një “beteje” të humbur është në këso gjendje, sinqerisht pretendon të hyjë në “luftë”?
Ua ka fikë shpresat Hasha, si duket.
Këtë muaj ka qenë aktiv sa ishte tërë mandatin e kaluar. Madje edhe e mbushi ujë Badovcin.
Ku është Albini? E vetmja herë që e kam parë Albinin ka qenë javën e kaluar kur është bërë lajm martesa e tij me Ritën. Urime Albin! E për hair zgjedhjet se erdhën pasha ty…
Çka më habit më së shumti është “zhdukja” thuajse totale e Partisë së Fortë. Kryetar Lexhendar, a je knej o burrë? Kam dyshu se ka mundësi me u zbeh prania jote, por kaq shumë, kaq shpejt?
Hasha nuk meriton me fitu në zgjedhje, ama të tjerët as që po mundohen. Nëse mendoni me i prit dy javë para zgjedhjeve, në rregull, ama a mendoni që do të mjaftojnë. Sidomos kur vazhdimisht flitet për vjedhje industriale e për struktura të pa shpërbëra të SHIK-ut e madje edhe për blerje të votave.
A po e shihni ju, opozitë, që qyterari është në pozitë të mjerueshme, me votu për dikën që i qiti në fund të pusit, por që po e kërkon postin. Apo me votu për dikën që ndoshta do ta nxjerr vendin nga kriza, por që “nuk po e kërkon” e nuk po e dëshiron postin?
Është shumë e vërtetë se vidhen votat. Është dëshmu me raporte të të gjitha instancave, por vjedhja e votave ndihmon vetëm nëse në fakt e ke një përqindje të konsiderueshme të votave – kur i ke diku 20 për qind plus të votave. Nëse arrini t’ia merrni ato 20 për qind, le të vjedhin sa të dëshirojnë, nuk kanë me pas efekt në rezultatin e zgjedhjeve.
Qytetarët ua kanë japë votën juve, si pozitë, si opozitë, me i mbrojt interesat tona. Paguheni nga taksat që ne paguajmë për të na i mbrojt të drejtat. Projektet që i premtoni, i premtoni vetëm në sajë të buxhetit që mbushet nga taksat e qytetarëve. Ato rritje të pagave nuk po i bënë Hasha nga xhepi i tij. Ato paga të majme të deputetëve që i merrni, i merrni nga taksat e popullit të varfër. Qytetari gjithmonë ka me qenë i gatshëm me vepru për interesat e tij, por këtë bëjeni edhe ju. Si pozitë, ashtu edhe opozitë.