Telegrafi

Kafja shton rrezikun nga abortimi spontan

Shtatzënat do të duhej “të mendojnë për të ndaluar pirjen e pijeve të cilat përmbajnë kafeinë”, shkruajnë autorët e studimit të publikuar në numrin e fundit të gazetës amerikane për obstetrikë dhe gjinekologji (American Journal of Obstetrics and Gynecology).

Për shkak të mundimeve të mëngjesit dhe vjellave të shkaktuara nga shtatzënia, shumë gra e ndërpresin konsumimin e pijeve me bazë kafeine, zbulon doktori De-Kun Li nga qendra Kaiser Permanente.

Autorët e studimit i kanë përcjellë 1.063 gra shtatzëna gjatë dy vjetëve dhe kanë vërtetuar “se ekziston lidhje e fortë në mes të kafeinës dhe abortimit spontan, sepse hulumtimi për herë të parë ka përcjellë vetëm shtatzënat të cilat kanë vazhduar të konsumojnë pijet me kafeinë”, shkruan Li.

Gratë të cilat kanë konsumuar së paku dy filxhanë kafe në ditë apo pesë kanaçe të pijeve të gazuar me kafeinë, që do të thotë 200 miligramë të kafeinës në ditë, kanë pasur dy herë më shumë gjasa për abortim spontan për dallim nga gratë të cilat nuk kanë futur aspak kafeinë në organizëm.

Tek gratë të cilat kanë marrë më pak se 200 miligramë kafeinë në ditë, rreziku për të humbur frytin e tyre ka qenë prapëseprapë 40 për qind më i madh sesa tek gratë të cilat kanë hequr dorë tërësisht nga konsumimi i kafeinës.

Rreziku nga abortimi spontan rritet pikërisht për shkak të kafeinës, e jo për shkak të përmbajtjeve tjera kimike të kafesë, sepse futja e kafeinës në organizëm nëpërmes pijeve tjera siç është qaji, pijet e gazuara apo çokolata e nxehtë, tregon për rrezikun e shtuar nga abortimi spontan, përfundon studimi.