Askush nuk e din kah do të shkojë ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës! Premtoi se do të jetë në Beograd e përfundoi në Stamboll, më saktë në “Canakkale”, ku edhe e kaloi ditëlindjen e tij, në ambiente krejt festive, pasi më 25 prill turqit po e festonin betejën e tyre të madhe, nga Lufta e Parë Botërore! Atëherë, kur në aleancë me gjermanët, kishin mundur koalicionin Angli, Francë…!
Me një fjalë, Evropa kundër Evropës! Kështu ishte atëherë!
Ndryshe prej serbëve, të cilët u shqetësuan nga vizita e tij e paralajmëruar, turqit ishin krejtësisht të relaksuar edhe pse, për dallim, paraardhësit e tyre të famshëm “na kishin nderuar me prezencën e tyre, në trojet tona” për jo më pak se rreth 500-600 vjet. Gjynah që asokohe, si do të thoshte kryeministri Rama, nuk kishte celularë dhe internet, pa do të kishim aq shumë fakte për këtë lumturi shumëshekullore!
Kështu, disa zëra historianësh që tash merren me cikërrima, se ne ishim të pushtuar, i mbulon zhurma e perandorisë së re, e cila po na bindë se me të parët tonë nuk ankoheshin. Për 500-600 vjet nuk bënë zë! Pra, ishin të lumtur! E ne nuk pranojmë të ketë ndodhur asgjë për çka nuk e gjejmë të dokumentuar në “Google” apo në “Youtube”.
Nejse, tema e sotme është vizita e vetë-paralajmëruar në Beograd, kryeqendra kjo e njërit prej dy vendeve me të cilat përgjatë historisë, dhe sipas disa historianëve, na lidhin kujtime të “ëmbla”! Si i shkrepi ministrit tonë të Jashtëm aq papritmas të deklarojë se me 24 prill do të jetë pikërisht në Beograd? A do të festohej ditëlindja e tij në “Beogradin mbi ujë” apo në… Kush e di ku e kishte planifikuar të këndonte serenatën e vet politike, ministri i Jashtëm serb?!
Tash ka mbetur goxha e paqartë, në kishte apo jo ndonjë ftesë! Për zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, ky udhëtim, më tepër simbolik, gjithsesi do të ishte një hap i madh, drejt… Evropës! Se, rruga e tij për në Evropë kalon nëpër Beograd. Slogani “Dielli lindë në Perëndim” i cili përmbledh në mënyrë metaforike orientimin qytetërues të shqiptarëve, tash është zhvendosur në veri. Jo me dëshirën tonë, natyrisht, por është pak a shumë një kusht i Perëndimit! Ejani nga veriu, jo nga Perëndimi, po na sugjerojnë! Eh, sapo e mbaruam Rrugën e Kombit! Andej mund të shkojmë veç në det!
Por, i refuzuar dhe i kërcënuar publikisht, e madje edhe zyrtarisht me arrestim nëse shkon në Beograd, pa ftesë të vlefshme, pra formale nga Qeveria e këtij vendi, Thaçi vendosi me i ra rrugës së moçme, për në Evropë! Përmes Stambollit. Me 14 prill ai tashmë ishte në festimin e betejës së famshme të Luftës së Parë Botërore ku aleatët tanë luftuan kundër… aleatëve tanë! Se tashmë nuk ka më armiq! Të gjithë i kemi aleatë! Madje edhe Serbia, vetëm se ajo ende nuk po e kupton këtë!
Siç njoftojnë mediat, ato të informuara mirë, në vend të ftesës zyrtare për të vizituar Serbinë, në adresë të Qeverisë së Kosovës, nga ana e Zyrës së Republikës së Serbisë në Prishtinë, arriti një letër tjetër zyrtare ku përpos që përmendej emri i Thaçit, përkujtohej “fakti” se në Serbi ende ekziston një vendim i plotfuqishëm i një gjykate të rregullt, me të cilin zëvendëskryeministri ishte shpallur i fajshëm për terrorizëm dhe ishte dënuar me një dënim afatgjatë me burg! Në mungesë!
Të shqetësuar nga vizita e mundshme, qeveritarët serbë u ngutën të flasin për shtetin ligjor, pavarësisht se çdoherë kur përmendet shteti ligjorë dhe Serbia e viteve të ‘90-ta në të njëjtën fjali, kjo edhe te diplomatët e përmbajtur shkakton një (për)qeshje të ftohtë!
Nejse, u komplikua situata! Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm nuk shkoi në Beograd, por shkoi në Turqi. Kjo për të kujtuar serbët se ne nuk jemi hidhëruar me ta. Kur kemi falur 500 vjet robëri, as që bëhet fjalë për 100 vjet! Fundja, çka janë 100 vjet krahasuar me 500-600! Matematikë ”logjike”! Politike!
E, në Beograd, pas hutimit të parë, filloi zënka publike! Kush e ka thirrur “Gjarprin”? Mediat, të frikësuara se një vizitë e tillë edhe mund të ndodhë, e kërcënuan me vetiniciativë ministrin e Jashtëm të Kosovës me arrestim! E, në Qeverinë serbe po e pyesnin njëri-tjetrin: e ftove ti? Po ti? Përgjigjja e zakonshme ishte: unë jo! Për Zotin, jo!
Kryeministri serb thuhet ta ketë pyetur aq ashpër ministrin e vet të Jashtëm sa ai edhe publikisht u detyrua të deklarohet se nuk ishte pikërisht ky ai momenti i duhur kur dy ministrat e Jashtëm të pozonin përpara gazetarëve kureshtarë të cilët nuk po ngopen duke parë dy ish armiqtë duke quar dashuri verbale, pra politike, e duke pirë kafe. Përfundimisht, kafeja… bën punë!
Pra, ministri Daçiq, njihet si qejfli! Merakli i verës dhe muzikës, dhe thuhet se ai nuk pret që ta lusin shumë për të kënduar serenata! Edhe për qefin e kryeministrit Rama thuhet të ketë kënduar “O sole mio”! Patjetër se edhe për kolegun e vet kosovar do të këndonte! Tash, se çfarë do të këndonte nuk mund të dihet, e ne nuk duam të lëshohemi në nivel spekulimesh! Por, do të këndonte! A nuk është kjo vetvetiu, mjaft?
Serbët, thonë: “Kush këndon, të keqen nuk e mendon“!
Kështu, me gjasë, serbët ende nuk po mendojnë për mbarë! Për faj të politikës, një kafe u ftoh në Beograd, sepse “ai” nuk kishte shkuar! Edhe një serenatë politike mbeti e pakënduar…!