Site icon Telegrafi

Kafeneja e “Intelektualëve”

Puna e saj ishte në banak. Ajo duhej të merrte porosi nga kamerierja, që gjithashtu dukej e lodhur nga qëndrimi i gjatë në këmbë, duke shërbyer myshterinjtë.

Si Hajdari ashtu edhe katër futbollistet tjera të klubit të femrave “Intelektualet” nga Gjilani, janë të punësuara në kafenenë e klubit, që mban po të njëjtin emër – "Intelektualet", shkruan sot Koha Ditore.

"Puna si banakiere ishte e vështirë në fillim, por tashmë jam mësuar", thotë Hajdari, që punonte në ndërrimin e paradites të martën që shkoi.

Hajdari është edhe kapitene e klubit të femrave. Ajo insiston se financiarisht punësimi e ka ndihmuar shumë.

"Mundohem ta kryej punën në mënyrën më të mirë që t’i ndihmoj edhe klubit", thotë ajo.
Ajo ngul këmbë se tashmë nuk e ka problem ta kryejë këtë punë.

"Më lehtë të punosh sesa të luash futboll. Futbolli nuk është i lehtë", ka theksuar Hajdari.
Në lokalin e hapur në qendër të Gjilanit para më shumë se një muaji, janë punësuar pesë futbolliste, punën e të cilave të martën për disa orë e përcolli edhe ekipi i gazetës.

"Ideja ka qenë që t’i punësojmë vajzat e klubit, për të marrë një rrogë dhe njëkohësisht përfitimet nga ky lokal të shkojnë për të paguar disa shpenzime të vogla të klubit", thotë kryetari dhe pronari i lokalit, Ramadan Bunjaku.

Në derën kryesore të kafenesë, të lyer me ngjyrë të kaltër, ishte e ngjitur një pllakë e vogël. Në të ishte një fotografi ku shiheshin tifozët e njohur si "Intelektualët", që përkrahin skuadrën e Dritës së Gjilanit. Poshtë saj, ishte i vendosur edhe orari i punës së lokalit.
 

Exit mobile version