Telegrafi

Kafeja “G“, synon tregun evropian

Në këtë fabrikë, e cila do të prodhojë kafen e quajtur „G“ janë investuar plot 4 milion euro dhe janë punësuar rreth 40 persona, duke përfshirë edhe bashkëpunëtorët e jashtëm.

Teknologjia që është instaluar në këtë fabrikë është nga më modernet dhe plotësisht e automatizuar.

“Prodhimi i kafesë turke është një segment i thjeshtë. Qëllimi I jonë është që nga kjo fabrikë të nxjerrim një kafe ekspreso shumë kualitative dhe ta eksportojmë në vendet evropiane. Për këtë qëllim në fabrikë kemi punësuar si bashkëpunëtorë të jashtëm edhe një italian 65 vjeçar që është specialist dhe përkujdeset për sortet e kafes si lëndë e parë që e importojmë“, tha Besim Govori.

Lënda e parë për këtë fabrikë vjen nga shtetet e Amerikës Latine si Brazili, Venecuela, Afrika dhe Azia. Më herët kjo fabrikë ka qenë e destinuar për mbledhjen dhe shitjen e frutave të malit,derisa është privatizuar nga ana e Govorit.

“Fabrika është shumë e madhe. Ne së pari kemi filluar me prodhimin e kafesë në një pjesë të fabrikës ndërsa së shpejti do të fillojmë edhe me veprimtarinë që ka pasur fabrika. Mendojmë se do të ketë leverdi dhe do të ndihmojë në rimëkëmbjen e kësaj zone“, theksoi Govori, duke shtuar se ka hapur fabrikën në këtë zonë meqë është i kësaj ane dhe ka dashur ta ndihmojë sepse është lënë në harresë nga pushtetarët. /Telegrafi/