Site icon Telegrafi

Kadyrov thotë se Rusia duhet të përdorë armë bërthamore me rendiment të ulët

Ramzan Kadyrov, kreu i rajonit rus të Çeçenisë, tha të shtunën se Moska duhet të konsiderojë përdorimin e një arme bërthamore me rendiment të ulët në Ukrainë pas një disfate të re të madhe në fushën e betejës.

Derisa Rusia konfirmoi humbjen e bastionit të saj të Lymanit në Ukrainën lindore, Kadyrov sulmoi komandantët e lartë për dështimet e tyre dhe shkroi në Telegram: “Sipas mendimit tim personal, duhet të merren masa më drastike, deri në shpalljen e ligjit ushtarak në zonat kufitare dhe përdorimin e armëve bërthamore me rendiment të ulët”, transmeton Telegrafi.

Ai po fliste një ditë pasi presidenti rus Vladimir Putin shpalli aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës -duke përfshirë Donetskun, ku ndodhet Lyman – dhe i vendosi ato nën ombrellën bërthamore të Rusisë, duke thënë se Moska do të mbronte tokat që kishte marrë “me të gjitha forcat dhe të gjitha mjetet”.

Rusia ka arsenalin më të madh atomik në botë, duke përfshirë armët taktike bërthamore me rendiment të ulët që janë krijuar për t’u vendosur kundër ushtrive kundërshtare.

Aleatët e tjerë të lartë të Putinit, duke përfshirë ish-presidentin Dmitry Medvedev, kanë sugjeruar se Rusia mund të ketë nevojë të përdorë armët bërthamore, por thirrja e Kadyrov ishte më e drejtpërdrejtë. /Telegrafi/

Exit mobile version