Telegrafi

Kadriu: Të mos i mbyllim sytë para evazionit fiskal

Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, deputetja e pavarur, Margarita Kadriu, ka ngritur çështjen e themelimit të Komisionit hetimor parlamentar, i cili do të hetonte dhe do të bënte gjetjet e qëndrueshme për të vërtetën reale në mbledhjen e tatim taksave, se si kemi humbur dhe po vazhdojmë të humbim sipas saj, për çdo vit kalendarik nga një buxhet të tërë.

Ajo iu drejtua kolegëve të saj deputetë duke kërkuar nga të gjithë ata që nuk janë të lidhur me bizneset klienteliste e kriminale , të cilët me mbështetjen e pushtetarëve e dëmtojnë buxhetin e Kosovës, që të krijojnë urgjentisht Komisionin hetimor parlamentar për hetimin e evazionit fiskal, kontrabandës në kufi, duke shtuar se nga “Qeveria pret që, pas reagimit të kryeministrit, të ndërmerren veprime konkrete për çlirimin e shtetit nga bandat e hienat kriminale”.

“Ne jemi përfaqësues të popullit këtu, andaj populli nuk na fal po qe se i mbyllim sytë sot para evazionit të madh fiskal dhe kontrabandës nëpër kufijtë e vendit, para korrupsionit të thellë në administratën publike, sikur edhe nëpër dikasteret e Qeverisë, nëse e heshtim monopolizimin e skajshëm të ekonomisë vetëm pse kjo u garanton pushtetarëve të bëjnë miliona të paligjshëm, ndërsa bizneseve të tyre të preferuara u jepen licenca, tenderë ,mbështetjen për kontrabande dhe favore pa fund nga shteti”, ka thënë Kadriu. /Telegrafi/