Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se Ministria e Punëve të Jashtme e drejtuar nga Donika Gërvalla, po përcillet me shumë skandale.
Kadrijaj në profilin e saj zyrtar në Facebook ka folur për një rast ku sipas saj, ambasada e Kosovës i rekomandon një shtetasi të Kosovës nxjerrjen dhe pranimin e dokumenteve të Serbisë, transmeton Telegrafi.
“Është për keqardhje se ku është niveli i përfaqësimit, punës dhe angazhimit të dobët të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, me ne krye Ministren Donika Gërvalla! Është për tu shqetësuar me rastin e bashkëvendësit tonë, bashkatdhetarit tonë Engjell Lekaj, të cilit Ambasada e Shtetit te Kosovës, i rekomandon nxjerrjen dhe pranimin e dokumenteve te shtetit Serb, përkundër asaj qe Kosova qe 25 vite është e lirë, ndërsa ka 16 vite që është e pavarur”, thotë Kadrijaj.
Tutje, ajo ka shkruar se “kjo padyshim është skandal dhe dështim i ministrisë se jashtme dhe misionit diplomatik të shtetit tonë, me në krye Ambasadorit Martin Berisha”.
Sipas deputetes, tani është koha për reflektim sa nuk është bërë vonë./Telegrafi/