Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj ka reaguar pas shkarkimit të bordit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.
Ajo ka thënë se shkarkimi i qeverisë s’po bëka për shkak të pandemisë, e i këtij bordi po.
Kadrijaj ka shtuar se mendimit anti-mjekësi të Kurtit i erdhi fundi.
“Të shkarkohet bordi i shëndetësisë është gabim dhe kjo shkon përtej hakmarrjes. Shkarkimi i Qeverisë s’po bejka për shkak të gjendjes me pandemi që ndodhemi tani, kurse bordin qe e ka barrën kryesore në këtë kohë po. Shkurt e pate dhe këto lojëra s’kanë me të ndihmu. Mendimit tënd anti mjekësi, që i bllokove edhe rrogat me rritje për ta, besoj se i erdhi fundi”, ka shkruar ajo.
Ndërkaq, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës në detyrë, Përparim Kryeziu, ka thënë se bordi është shkarkuar pasi nuk i ka përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë dhe se ka bërë shkelje të ligjit dhe rregulloreve.
“Arsyetimi i këtij vendimi është dhënë në vendim të Qeverisë në detyrë të Kosovës i cili arsyetim bazohet mbi faktin se bordi nuk i ka përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë e parapara dhe të përcaktuara në statutin e SHSKUK-së dhe nuk ka arritur objektivat e parapara”./Telegrafi/