Pas ngjarjeve në Ukrainë ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj ka kërkuar nga vendet e NATO-s që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta bëjnë një gjë të tillë.
Mehaj përmes një shënimi në Facebook ka thënë se anëtarësimi i përshpejtuar i Kosovës në NATO dhe vendosja e Bazës së Përhershme të Forcave Amerikane, është nevojë imediate për garantimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.
Ministri i Mbrojtjes gjithashtu ka thënë se ka riadresuar kërkesën ndaj SHBA-së për të pasur një bazë ushtarake të përhershme në Kosovë.
Mirëpo ndaj këtij postimi ka reaguar deputetja e AAK-së Time Kadrijaj.
Kadrijaj thotë se ministri i Mbrojtjes më parë duhet të kryejë detyrat e shtëpisë e pastaj mund të kërkojë nga aleatët bazë të përhershme ushtarake në Kosovë.
“Ministër Mehaj, ndale mashtrimin.
Para se të kërkosh nga aleatët tonë strategjik bazë të përhershme ushtarake në Kosovë, kryeji detyrat e shtëpisë:
– Përfundoje Strategjinë Nacionale të Sigurisë dhe sjelle në Kuvend për miratim
– Përfundoje Ligjin për Donacione për Ushtrinë e Kosovës”, ka shkruar Kadrijaj.
Ajo madje ka akuzuar Mehajn se ka penguar marrëveshjet biletarela me SHBA-të për disa operacione stërvitore.
“Mos i pengo marrëveshjet bilaterale për pjesëmarrjen e Ushtrisë në stërvitje dhe operacione, siç ishte rasti në Poloni.
Punoni, mos mashtroni!”, ka përfunduar deputetja opozitare./Telegrafi/