Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj pas mbledhjes së Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, në një prononcim për media shprehu shqetësimin e saj ndaj Ministrisë së Punëve të Jashtme, e cila nuk lejon që zyrtarët e kësaj ministrie të raportojnë për numrin e të kthyerve dhe ata që kanë kërkuar të kthehen në Kosovë. Por, në anën tjetër deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Fitore Pacolli tha se deputetët e opozitës kanë për qëllim që të tentojnë të mbulojnë punën e mirë të qeverisë.
Kadrijaj po ashtu tha se edhe raportimi nga disa ambasadorë është ndaluar nga ana e kësaj ministrie.
“Në këtë situatë pandemie ka qenë shqetësuese çështja e personave për kthim dhe riatdhesim në vendin e tyre, pasi ka pas shumë njerëz të cilët ndoshta kanë shkuar për punë të përkohshme, apo në vizita familjare apo edhe student. Sot mbledhja ka qenë një informatë sa është numri i qytetarëve tanë që kanë kërkuar për tu kthyer dhe sa janë kthyer. Fillimisht ju kemi drejtuar ambasadorëve për raportimin e saktë, por është ndal raportimi i disa ambasadorëve dhe si duket është kërkesë nga Ministria e Punëve të Jashtme që të mos raportohet. Ne prapë kemi bërë kërkesë në ministri që drejtori i përgjithshëm, Albert Prenkaj të raportoj, por në atë shkresë na është thënë që drejtori nuk do të vij të raportoj. Ne sërish kemi kërkuar që të na e dërgojnë një raport me shkrim dhe na kanë dërguar një raport statistikor…Ne nuk kemi mundur të adresojmë të gjitha shqetësimet tona. Drejtori e ka obligim ligjorë që të vij të raportoj në Komision. Ministri i shkarkuar nuk ka të drejtë të vij të raportoj. E gjithë kjo situatë është shqetësuese”, ka thënë Kadrijaj.
Ndërsa, deputetja e LVV-së Fitore Pacolli ka thënë se deputetët e opozitës kanë për qëllim që të gjejnë zbrazëtira dhe të ndryshojnë statistika.
“Deputetët e opozitës qëllimin e vetëm e kanë që të tentojnë të gjejnë zbrazëtira dhe të ndryshojnë statistikat që puna e qeverisë nuk është bërë ashtu siç duhet. Kosova është një ndër vendet e para që ka arritur ta menaxhoj si duhet situatën e pandemisë”, ka thënë ajo.
Pacolli theksoi se janë munduar që ta menaxhojnë situatën siç duhet për kthimin e qytetarëve të cilët kishin mbetur jashtë vendit.
Ajo tregoi se deri më tani janë kthyer mbi 2500 qytetarë nga vende të ndryshme.
“Jemi munduar të menaxhojmë kthimin e qytetarëve jashtë shtetit për në Kosovë. Dhe riatdhesimi ka shkuar në përputhje me situatën. Prioritet i yni ka qenë që ata të kthehen në vendin e tyre. Mbi 2500 persona në Kosovë janë kthyer deri më tani në Kosovë. Numri i të kthyerve është bërë në përputhje me kapacitetet tona në Kosovë. Në Komisionin për Punë të Jashtme janë paraqitur shifra që nuk e di ku i kanë marr…”, ka thënë Pacolli. /Telegrafi/