Kryetari i PDK-së Kadri Veseli, sipas hulumtimit të Kantar TNS, Index Kosova, ka më së paku popullaritet në opinionin publik krahasuar me shtatë liderët e subjekteve tjera politike.
Veseli më së shumti pëlqehet në Komunën e Ferizajt, e vetmja nga shtatë qendrat e mëdha që qeveriset nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Edhe në Prizren dhe Gjakovë nuk qëndron keq, ndërsa si shumica e politikanëve tjerë edhe Veseli ka më së paku popullaritet në Mitrovicë.
Për Veselin është shpresëdhënës fakti, që prej marrjes së drejtimit të PDK-së popullariteti ka shkuar vetëm duke u ngritur.
Në bazë të hulumtimit të Kantar TNS, Veseli më së paku popullaritet ka pasur në qershor të vitit 2016, ndërsa muajt e fundit ai ka pasur popullaritetin më të lartë, prej që është matur opinioni për të.
Këto të dhëna janë publikuar nga Visar Berisha, menaxhues i projektit të Kantar TNS, Index Kosova në emisionin Debat Plus të RTV Dukagjinit. Hulumtimi është bërë nga viti 2003 deri në këtë vit dhe matja është bërë çdo gjashtë muaj.