Prania e Kadri Veselit në Mitrovicë para një jave nuk pati si të mos vihej re. Mirëpo qëndrimi i tij tek familjarët në Bair është edhe krejt çka u pa publikisht nga vizita e dytë e Veselit në Kosovë që nga arrestimi nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Siç i bënë me dije zyrtarë të Speciales ish-kreu i Kuvendit qëndroi në Kosovë tri ditë.
“Vizita zgjati nga e shtuna e 10 korrikut deri të hënën e 12 korrikut dhe zotëri Veseli është kthyer i sigurt në qendrën e paraburgimit në Hagë. Gjatë vizitës, i akuzuari ka qëndruar në qendër paraburgimi dhe nën mbikëqyrje nga Dhomat e Specializuara. EULEX-i dhe Policia e Kosovës e mbështetën DHSK-në gjatë kësaj vizite”, i kanë thënë nga Dhomat e Specializuara Klan Kosovës.
Kjo megjithatë nuk e përmbushi kërkesën urgjente të Veselit, të cilit me t’iu dhënë kumti se i ati i tij Fazliu kishte vdekur, shprehi dëshirë të vijë për vizitë 7 ditore në Kosovë. Ndonëse në pak ditë, atij iu lejua t’i takojë të gjithë familjarët për të cilët bëri kërkesë.
Ndër të tjerë nënën, bashkëshorten me fëmijë, xhaxhanë e hallën. Mbi krejt këto iu plotësua dëshira t’ia japë lamtumirën e fundit babait tek varri.
“Për arsye bindëse humanitare, gjyqtari i procedurës paraprake ka udhëzuar Zyrën e Regjistrit për ta menaxhuar një vizitë nën mbikëqyrje në Kosovë për zotëri Veseli të ndajë dhimbjen me familjarët e ngushtë. Atij i është mundësuar po ashtu vizita tek varri i babait dhe takimi me të gjithë familjarët për të cilët ka kërkuar leje”, thanë nga Dhomat e Specializuara.