Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, përmes profilit të tij në Facebook ka shkruar se institucionet e Kosovës, duke respektuar urdhrin e presidentit Hashim Thaçi për ndalimin e hyrjes së trenit serb në Kosovë, treguan vendosmërinë për ruajtjen e sovranitetit shtetëror tonin.
“Kjo absolutisht nuk nënkupton se ne jemi kundër lëvizjes së lirë. Por, ky tren, i mbuluar me mbishkrime nacionaliste serbe, kishte për qëllim provokimin e radhës nga Beogradi. Institucionet respektuan përgjegjësitë ligjore dhe kushtetuese”, ka shkruar ai.
Ndryshe, mediet e huaja kanë raportuar për trenin propagandues të Serbisë dhe ndalimin e tij prej autoriteteve të Kosovës.
Agjencia Austriake e Lajmeve – APA, ka raportuar për thirrjen e takimit urgjent me ministrin e Brendshëm dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë nga Thaçi, ku më tej janë dërguar forcat speciale në veri të Kosovës për të intervenuar.
“Kam kërkuar prej tyre që ta ndalojnë hyrjen e trenit në Kosovë menjëherë dhe me çdo çmim”, citohet presidenti Thaçi. “Mjaft është mjaftë. Do të ketë zero tolerancë ndaj Beogradit në cenimin e integritetit territorial të Kosovës”. /Telegrafi/