Telegrafi

Kadri Kastrati merr komandën e FSK-së

Gazeta “Zëri” ka mësuar se presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, si komandante supreme e kësaj force, tashmë ka nënshkruar dekretin, me propozim të kryeministrit Hashim Thaçi, që gjeneralmajor Kastrati gjatë tre vjetëve të ardhshëm ta drejtojë FSK-në.

Gjithashtu merret vesh se ish-zëvendëskomandanti i UÇK-së për Zonën e Llapit, Kastrati, ishte një nga ushtarakët më të parapëlqyer nga oficerët e NATO-s për ta zëvendësuar gjeneral Selimin, karshi komandantit të Forcave Tokësore, gjeneralmajorit Rrahman Rama.

Dekretimi i gjeneral Kastratit pritet të ndodhë të martën nga presidentja Jahjaga, në ceremoninë e shënimit të Ditës së Forcës të FSK-së, kur edhe do të bëhet ndërrimi i komandës nga Sylejman Selimi te Kadri Kastrati.

Zyrtarisht askush nuk dëshiron të flasë për ndërrimet në komandën e FSK-së, ndonëse tashmë është dhënë njoftimi për ceremoninë e ndërrimit të komandantit të FSK-së, pikërisht në ditën kur kjo forcë shënon dyvjetorin e themelimit, si trashëgimtare e Trupave Mbrojtëse të Kosovës.

Një zyrtar i lartë i FSK-së, i cili nuk ka dashur t’i përmendet emri, ka pohuar se për pozitën e kryeushtarakut të FSK-së, sipas ligjit, nuk hapet asnjë konkurs, porse emërohet njëri nga zëvendëskomandantët e kësaj force. /Telegrafi/