Shitja e banesave është zvogëluar, por çmimi nuk ka ndryshuar, madje shënon edhe rritje të vogël, kumtoi sot drejtori i Agjencisë për Kadastër, Sllavçe Tërpeski, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Sipas Tërpeskit, në tre muajt e parë 2017 janë shitur 51 banesa të sapondërtuara, që është zvogëlim lidhur me kuartalin e katërt në vitin 2016. Megjithatë, pritet lëvizje në treg dhe ulje e çmimeve më së shumti për shkak të shkallëve të ulëta të interesit të kredive banesore, njofton AIM.
Kadastra në tre muajt e parë të këtij viti shënon ulje të numrit të transaksioneve me patundshmëri në përgjithësi, gjegjësisht ulje prej 51.4% në krahasim me periudhën e njëjtë vitin e kaluar. Janë regjistruar gjithsej 2.590 transaksione që është numri më i vogël për një kuartal prej vendosjes së Regjistrit të çmimeve dhe qirave. Më shumë transaksione janë regjistruar në mars, 1.040, ndërsa më pak në janar, 613, që është numri më i vogël për një muaj nga vendosja e Regjistrit.
Çmimi për një metër katror në komunën e Qendrës është 45.562 denarë, në Aerodrom 51.739 denarë, Karposh-61.163 denarë, Gjorçe Petrov-48.585, ndërsa në Kisella Vodë 54.335.
Jashtë Shkupit, çmimi i banesave është stabil në Strumicë, Kumanovë dhe Ohër, ndërsa shtrenjtim ka në Manastir. /Telegrafi/