Agjencia për kadastër e Republikës së Maqedonisë sot filloi me vendosjen e Regjistrit të ri të adresave për tërë territorin e Republikës së Maqedonisë. Me këtë rast me kompaninë DGi Gisdata-Shkup, nënshkroi marrëveshje për pilot-projektin “Përgatitje e të dhënave dhe zhvillim i aplikacioneve për grumbullimin në terren të të dhënave të adresave” për katër komuna në shtet, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Drejtori i Agjencisë, Sllavçe Tërpeski theksoi se për momentin në zbatim janë dispozita të pamjaftueshme të sakta ligjore dhe nënligjore, standarde të pamjaftueshme precizuese për regjistrimin e emrave të rrugëve dhe se mungojnë standarde për numërimin e llojeve individuale të objekteve.
“Regjistri i adresave është një prej regjistrave kyç në shtet. Ai do të përmbajë të dhëna hapësinore për rrugët dhe numrat e shtëpive dhe do të jetë i lidhur me Regjistrin e njësive hapësinore. Në këtë mënyrë të gjitha subjektet e interesuara, të gjitha informacionet e lidhura me adresat do të kenë mundësi përmes rrugës elektronike në mënyrë të shpejtë dhe efikase t’i marrin nga Agjencia për kadastër të patundshmërive”, theksoi Tërpeski.
Informoi se kontraktuesi ka për obligim të bëjë analizë dhe përgatitje të të dhënave të adresave nga bazat ekzistuese të shumë institucioneve shtetërore për kontroll të tyre në terren, përmes tablet-aplikacionit të përpunuar celular.
Grumbullimi në terren i të dhënave të adresave do të bëhet në pjesën nga komuna e Kisela Vodës, komunat Zelenikovë, Shën Nikollë dhe Gostivar, ndërsa sipas marrëveshjes duhet të përfundojë deri në fund të vitit 2017. Nga Agjencia informojnë se vlera e marrëveshjes arrin 113.000 euro. /Telegrafi/