Telegrafi

Kadare në librarinë “Dukagjini”: Orientimi shumëshekullor i shqiptarëve ka qenë dhe mbetet Evropa

Libraria “Dukagjini” sot, ka qenë nikoqire e një mysafiri të veçantë.

Punës 23 vjeçare  të librarisë ‘’Dukagjini’’ iu shtua edhe një perlë, vizita e njërit ndër shkrimtarët më të mëdhenj shqiptar dhe botëror, Ismail Kadare!

Libraria posedon të gjithë librat e autorit, duke përfshirë edhe botimin e ri të tërë veprës së tij të botuar nga “Onufri’’.

Me këtë rast Kadare ka theksuar rëndësinë e gjuhës dhe kulturës shqipe, si njëri ndër bazamentet e popullit shqiptar dhe gjithashtu ceku se Shqipëria është njëri ndër vendet më të vjetra në Evropë.

Autori i shumë veprave me vlerë të madhe letrare botërore gjithashtu tha se preokupimi, orientimi shumëshekullor i shqiptarëve ka qenë dhe mbetet Evropa! Për Kadarenë, vizitat në Kosovë dhe takimi me lexuesit kosovarë kanë qenë ngazëlluese.

Me këtë rast shkrimtari i përmasave botërore, ka dhënë një intervistë për RTV Dukagjinin.

Kadare thotë se ndjen gëzim dhe lumturi sa herë që vjen në Kosovë.

“Kosova në shpirtin e saj është fitimtare, është e gëzuar. Kjo më gëzon jashtëzakonisht dhe gëzon çdo shqiptarë… Kosova në gjenet e saj e ka kulturën, librin”.

Shkrimtari i madh thotë se shqiptarët janë ndër popujt më të vjetër të Ballkanit dhe shqipja është ndër gjuhët më të vjetra të kontinentit.

“Në shekujt XV dhe XVI ishte ndër gjuhët kryesore të Evropës. Librat në atë kohë botoheshin në shqip paralelisht me latinishten. Shqipja qysh në atë kohë ka qenë e arritshme për të gjithë shqiptarët”.

Kadare thotë se është një gjë shumë e mirë që viteve të fundit shqiptarët janë mësuar me idenë e të qenit pjesë të Evropës.

Shkrimtari thotë se dallimet mes toskëve dhe gegëve nuk do të duhej të kishte ndikim në zhvillimin e letërsisë shqipe.

Kadare po qëndron në Prishtinë si mysafir në Panairin e librit “Prishtina 2023”. /Telegrafi/