Telegrafi

Kadaj-Bujupi tregon pse u largua AAK-ja dhe të ardhmen e saj politike

Mospajtimi i opozitës së bashkuar, konkretisht Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje u bë shkaktar i dorëheqjes së ish-shefes së grupit parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj Bujupi.

Në një intervistë në “Rubikon” të KTV-së, ajo ka thënë se ka kundërshtuar daljen e njëanshme të Aleancës nga Kuvendi i Kosovës.

“E kam kundërshtuar daljen e njëanshme. I kam kundërshtuar veprimet e njëanshme. Qëllimi im parimor nga fillimi ka qenë që të jemi bashkë”, ka thënë Kadaj Bujupi, tani deputete e pavarur, transmeton Koha.net.

Ajo ka thënë se nuk ka hequr dorë nga qëndrimet dhe bindjet e saj, vetëm nga posti partiak, e që sipas saj, në gjendjen në të cilën gjendet Kosova, pak rëndësi ka se çfarë posti kanë.

“Unë do të vazhdoj të marr pjesë në Kuvend derisa votuesit të besojnë se duhet të jem aty”, ka thënë ajo, e pyetur për rikthimin në seancat e Kuvendit.

Kadaj-Bujupi ka thënë se posti partiak nuk është i rëndësishëm për të, pasi sipas saj, posti të jep fuqi, mirëpo atë fuqi duhet shfrytëzuar për të punuar dhe arritur bindjet e veta.

Për mundësinë që ajo të jetë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, ajo ka thënë se shpejtë do të dalë me një qëndrim zyrtar.

“Përcaktimi se ku do të shkoj do të jetë aty ku më ofrohet mundësia t’i arrij bindjet e mija”, ka thënë ajo.

Për mënyrën se si e ka njoftuar opinionin për dorëheqjen e saj, njëherësh edhe partinë, ish-deputetja e AAK-së ka thënë se ishte vendim i prerë dhe kjo ishte mënyra që ajo zgjodhi për të njoftuar të gjithë, duke mos dhënë detaje të tjera.

“Ka qenë vendim i prerë, përmes të cilit e kam njoftuar opinionin. Ka qenë vendim i prerë dhe i pakthim, të cilin e kam menduar pas daljes nga burgu”, ka theksuar ajo në “Rubikon” të KTV-së.

Për punën 13-vjeçare të saj në parti, Kadaj Bujupi ka thënë se ka investuar përtej të zakonshmes, ka tejkaluar veten, duke përfshirë këtu edhe punën e kolegëve të tjerë opozitarë.

Ndërsa e pyetur nëse largimi i saj e ka dëmtuar ose jo partinë, ajo ka thënë se nuk ishte qëllimi i saj, mirëpo koha do të tregojë nëse ishte dobësim ose jo për AAK-në.