Telegrafi

Kadaj-Bujupi: UÇK-ja të mbrohet me ligj, do ta shtyj përpara Ligjin për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës

Ndaj një debati të gjerë që është hapur ditëve të fundit, për shkak të deklaratave të këshilltarit të kryeministrit, Shkëlzen Gashi, për UÇK-në, ka reaguar edhe deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi.

Përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë do ta shtyjë përpara Ligjin për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës.

Kadaj-Bujupi ka theksuar se mbrojtja e UÇK-së duhet të institucionalizohet, transmeton Telegrafi.

“Nuk është hera e parë, e siç po shihet as e fundit, që brutalisht sulmohet ADN e shtetit tonë. Sulmet vijnë prej fronteve të ndryshme, herë prej “burrështetasve” që tentojnë të faktorizohen e të hynë në hatër me agjenda ndërkombëtare, e herë prej ojqistëve që tentojnë të zgjasin financimet e projekteve të tyre. Rezultati është i njëjti, pra të gjitha këto rryma çojnë ujë në mulli të Serbisë, e cila vazhdimisht sulmon të vërtetën historike të popullit të Kosovës, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”.

Lexo po ashtu PDK reagon ndaj deklaratave të këshilltarit të Kurtit, kërkon rikthimin Projektligjit për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së

Kadaj-Bujupi ka theksuar se vetëm me Ligjin për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës, nënat shqiptare nuk do të përballen me deklarata fyese.

“Andaj, si anëtare e Komisionit për ligje në Parlamentin e Kosovës, në mbledhjen e radhës do të procedoj Ligjin për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës (për të cilin ka pasur iniciativa edhe më herët por është kthyer në pikën zero).
Në këtë mënyrë nënat shqiptare që humbën më të dashurit e tyre gjatë agresionit serb në Kosovë, nuk do të përballen me deklarata fyese e denigruese për bijat e bijtë e veta”./Telegrafi/