Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi ka reaguar sot lidhur me deklaratat kundër emërimit të Sylejman Selimit këshilltar i kryeministrit Haradinaj.
Kadaj-Bujupi përmes një postimi në rrjetin social Facebook thekson se komandant Sylejman Selimi nuk është kriminel lufte, por është shëmbëlltyra e një rezistence 100 vjeçare.
“Komandant Sylejman Selimi nuk është kriminel lufte. Ai është shëmbëlltyra e një rezistence 100 vjeçare. Me armë të gjata mbi krye dhe në një proces kontravers u gjykua nga EULEX-i. Sipas fjalëve të disa dëshmitarëve që as fshatrat e tyre nuk i njihnin, ai u dënua me 14 vjet. Praktikat e gjykimeve të tilla kanë treguar se sistemet juridike shterpe kanë nevojë për gjak të freskët. Komandant Selimi nuk mund të jetë kurbani i një thertoreje të panevojshme”, shkruan Kadaj-Bujupi. /Telegrafi/