Site icon Telegrafi

Kadaj-Bujupi: Istogu ka nevojë urgjente për angazhim institucional

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, ka deklaruar se Istogu ka nevojë urgjente për angazhimin institucional dhe përkrahje të  qytetarëve. 

Kadaj-Bujupi ka thënë se pas dëmeve materiale që kanë shkaktuar erërat e forta në Istog, jetën qytetarëve po ua vështirëson edhe më shumë mungesa e energjisë elektrike, prandaj kërkon intervenimin e institucioneve, transmeton Telegrafi.

“Pas një nate të vështirë me erëra të forta, Istogu ka nevojë urgjente për angazhim institucional dhe përkrahje ndaj qytetarëve në këtë zonë. Përveç dëmeve materiale, jetën po ua vështirëson edhe më shumë mungesa e energjisë elektrike. Andaj, thërrasim institucionet që pa vonesë të angazhohen për të intervenuar dhe marr masat e duhura”, ka shkruar deputetja në profilin e saj në Facebook.

Ndërkohë, si pasojë e erërave të fuqishme që kanë përfshirë Komunën e Istogut, janë shkaktuar dëme të mëdha materiale, po ashtu banorët e kësaj komune kanë mbetur pa energji elektrike.

Drejtori i Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Istogut, Enver Rugova ka thënë për Telegrafin se nuk ka njerëz të lënduar, por dëmet materiale janë të mëdha.

Lexo po ashtu Vazhdojnë erërat e fuqishme në Istog, dëme të mëdha materiale

“Fatmirësisht dëme tek njerëzit nuk ka, e dëmet materiale janë të mëdha. Akoma nuk kemi mundur të konstatojmë se sa është vlera e dëmeve për shkak të intensitetit të madh të erës. Jemi të fokusuar në rrugë që të lirohen dhe të jenë të lira për qarkullim. Në gjithë komunë e Istogut nuk ka rrymë, KEDS është duke bërë përpjekje mirëpo nuk ka rezultat deri tani”, ka thënë Rugova.

Për shkak të erërave të forta, Komuna e Istogut ka marrë vendim që gjatë ditës së sotme të mos mbahet mësimi në asnjë institucion arsimor. /Telegrafi/

Exit mobile version