E ardhmja e Ergys Kaçes është gjithnjë e më larg Paokut të Selanikut.
Mesfushori i kombëtares shqiptare sipas të gjitha gjasave do të largohet nga skuadra greke gjatë këtij afati kalimtar pasi nuk bën më pjesë në planet e trajnerit serb Vladimir Ivic i cili nuk e përfshiu Kacen as në listën Ligës së Kampionëve për dy ndeshjet e turit të tretë kualifikues ndaj Ajaxit.
NovaSports.gr një nga mediat më të mëdha sportive në vendin fqinj shkruan se ardhmja e 23-vjeçarit shqiptar do të marrë një zgjidhje në ditët e ardhshme.
Paoku ka vendosur ta nxjerrë në shitje lojtarin dhe e ka lejuar Kaçen që të nisë kontakte me klubet e interesuara për të jashtë Greqisë. Sipas asaj që raporton Novasports, në ditët e fundit Kace ka biseduar me klube të ndryshme evropiane dhe shumë shpejtë pritet të vendosë se cila do të jetë skuadra e tij e re ku do të vazhdojë karrierën.
Duke qenë se mesfushori shqiptar nuk bën më pjesë në planet e trajnerit Ivic për ta lënë të lirë lojtarin drejtuesit e Paokut kanë ulur disi pretendimet e tyre ekonomike, madje janë të gatshëm ta lejojnë Ergys Kaçen të largohet edhe në formë huazimi. Mbetet për tu mësuar se cili do të jetë destinacioni i ri i 23-vjeçarit nga Korca, ofertat për të cilin nuk mungojnë.