Qytetarët e Kosovës ende janë të rrezikuar për shëndetin e tyre nga produktet jocilësore dhe nga tregtarët mashtrues me mallra të kontrabanduara.
Me rastin e Ditës Botërore të Konsumatorit, kryetari i Organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku në një intervistë për KosovaPress, tha se ndër problemet më të mëdha janë mallrat e kontrabanduar.
Produktet jo cilësore, sipas tij, janë ato ushqimore, barnat dhe derivatet, ndërsa shërbimet energjetike, të ujit dhe ngrohjes qendrore nuk janë adekuate.
“Kur flasim cilësinë e ushqimeve, ajo që kalon përmes mbikëqyrjes së mekanizmave për kontroll, është e sigurt, mirëpo problemet janë kontrabanda e cila është alarmante në Kosovë dhe mbi të cilën qëndron një rrjet kriminal i organizuar deri në nivele të larta, dhe që së bashku me të gjitha ushqimet, medikamentet, derivatet naftës , ndoshta arrin shumën prej një miliardë e gjysmë dhe prej tyre 500 milionë euro për shkak të kësaj kontrabande i mungon buxhetit të Kosovës”, ka thënë Kaçaniku.
Kreu i shoqatës “Konsumatori” ka thënë se vetëm 1 për qind e mallrave të importuara i nënshtrohen kontrollit për cilësi dhe kjo parqet pasiguri për qytetarët konsumatorë.
“Kjo kontrabandë e vështirëson tregun dhe i sjell pasiguri qytetarëve konsumatorë, ndërsa kjo që hynë me kontroll jo e gjitha është e garantuar për shkak se kontrolli nuk bëhet për çdo maunë, por merret një maunë e rastësishme, që i bie se nga 100 përqindëshi i importeve vetëm 1 për qind kontrollohet”, ka thënë ai.
Kaçaniku ka shtuar se në Kosovë ende vepron logjika e mashtrimit ndaj konsumatorit.
Ndryshe, sot në Kosovë shënohet edhe Dita Botërore Konsumatorit, që për qëllim ka mbrojtjen e konsumatorëve. /Kosovapress/Telegrafi/