Telegrafi

Kabineti i Ministrit Beqiri priti regjisorin boshnjak Dino Mustafiq

Gjatë takimit u bisedua për bashkëpunimin kulturor midis Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës, përkatësisht mbi mundësitë e tejkalimit të vështirësive në këtë bashkëpunim, të cilat aktualisht vijnë nga mungesa e vullnetit të autoriteteve boshnjake për njohjen e dokumenteve të udhëtimit të shtetasve të Kosovës.

Në këtë kontekst, regjisori Dino Mustafiq paralajmëroi mundësinë e angazhimit të disa artistëve të shquar boshnjakë për tejkalimin e problemeve të komunikimit ndërkulturor ndërmjet dy vendeve. Ai, gjithashtu, vlerësoi se Kosova dhe Bosnja e Hercegovina kanë një traditë të gjatë të bashkëpunimit artistik dhe kulturor, e cila, si e tillë, duhet të vazhdojë edhe më tutje. Artistët kosovarë duhet të jenë të pranishëm në ngjarjet dhe në manifestimet me karakter ndërkombëtar në Sarajevë, të tilla si Sarajevo Film Festival, Festivali Ndërkombëtar Teatror MESS etj., tha regjisori Dino Mustafiq, duke shtuar se vizat dhe pasaportat nuk duhet të jenë pengesë për lëvizjen e lirë të artistëve.

Ndërkaq, Këshilltari Bekim Lumi e falenderoi regjisorin Dino Mustafiq për gatishmërinë e tij që të lobojë te autoritetet boshnjake për tejkalimin e vështirësive në komunikimin ndërkulturor ndërmjet dy vendeve. Në kohën e procesit të liberalizimit të vizave nga vendet e BE-së për vendet e Evropës Juglindore, theksoi Lumi, problemet e kësaj natyre në vendet e Ballkanit duhet të jenë një storie e tejkaluar. Kosova dhe Bosnja e Hercegovina janë dy vende me një traditë të përbashkët historike, kulturore dhe politike, prandaj dokumentet e udhëtimit dhe qëndrimet e njëanshme politike nuk duhet të jenë pengesë për bashkëpunimin artistik dhe kulturor ndërmjet këtyre dy vendeve, përfundoi Lumi.