Telegrafi

Ramaj: Në Kosovë, destabiliteti politik dhe siguria e brishtë dobësojnë sigurinë nacionale

Qendra për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim ka publikuar punimin “Sfidat e sigurisë njerëzore në Kosovë: Destabiliteti politik në Kosovë Implikimet për sigurinë njerëzore të popullatës”.

Drejtoresha e QHDP, Besa Kabashi-Ramaj, ka thënë sot se demokracia në Kosovë nuk mund te funksionoj pa përmbushjen e nevojave të sigurisë njerëzore të qytetarëve te Kosovës, gjë që do t’ju mundësonte të jenë qytetarë aktivë.

“Rrjedhimisht, një ndryshim i tillë duhet filluar nga ndryshimi i mendësisë së udhëheqësisë së ardhëshme politike, duke vendosur interesin e qytetarit të Kosovës para interesave të ngushta partiake; institucionalizimi i një tradite rigoroze të bartjes së detyrës në mes të adminstratave; si dhe zgjerimit te konceptit të sigurisë që të përfshijë sigurinë njerëzore dhe shoqërore”, ka thënë Kabashi-Ramaj.

Ajo tutje u shpreh se punimi thekson se destabiliteti politik dhe siguria e brishtë njerëzore dobësojnë sigurinë nacionale, dhe se çështje të tilla duhet të adresohen brenda për brenda konceptit të zgjeruar të igurisë ku nevojat e popullit të Kosovës duhet të adresohen.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin përfaqësues të institucioneve shtetërore, ambasadave në Kosovë si dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare. Ky projekt u mbështet nga Friedrich Ebert Stiftung Prishtina. /Telegrafi/