Telegrafi

Kabashi: Prishtina e përgatitur maksimalisht, pritet lojë e fortë ndaj Besës

(Foto: Instagram/kosovahandball.info)

Prishtina është nikoqire e Besa Famgas për ndeshjen e dytë finale në Superligën e hendbollistëve. Skuadra vendase nuk guxon të humbë ose të barazojë, pasi në këtë rast ekipi pejan shpallet kampion.

Trajneri Taib Kabashi ka pranuar cilësinë e Besës, por ka shtuar se edhe skuadra e tij është cilësore.

Kabashi ka konfirmuar se Prishtina ka pretendime të mëdha për finalen e dytë të ‘play-offit’ që zhvillohet nga ora 19:15 në kryeqytet.

Lexo po ashtu Cabanas: Duam të fitojmë në Prishtinë dhe të shpallemi kampionë

Prishtinës i janë rritur ambiciet pas paraqitjes së mirë në Pejë, sidomos në pjesën e dytë.

“Jemi përgatitur maksimalisht për lojën e dytë kundër Besa Famgasit. Në lojën e parë finale të ‘play-offit’ në Pejë patëm paraqitje të mirë, sidomos në pjesën e dytë”.

“Të gjithë e dimë që bëhet fjalë për një ekip të organizuar e cilësor që ka në radhët e veta lojtarë nga Spanja, Greqia e Bosnja. Por edhe ekipi ynë, Prishtina, është cilësor”.

“Në radhët tona kemi lojtarë kualitativë. Pritet lojë e fortë në mes dy ekipeve më të mira në Kosovë, Prishtinës e Besës”, ka thënë Kabashi.