Prishtina është nikoqire e Besa Famgas për ndeshjen e dytë finale në Superligën e hendbollistëve. Skuadra vendase nuk guxon të humbë ose të barazojë, pasi në këtë rast ekipi pejan shpallet kampion.
Trajneri Taib Kabashi ka pranuar cilësinë e Besës, por ka shtuar se edhe skuadra e tij është cilësore.
Kabashi ka konfirmuar se Prishtina ka pretendime të mëdha për finalen e dytë të ‘play-offit’ që zhvillohet nga ora 19:15 në kryeqytet.
Prishtinës i janë rritur ambiciet pas paraqitjes së mirë në Pejë, sidomos në pjesën e dytë.
“Jemi përgatitur maksimalisht për lojën e dytë kundër Besa Famgasit. Në lojën e parë finale të ‘play-offit’ në Pejë patëm paraqitje të mirë, sidomos në pjesën e dytë”.
“Të gjithë e dimë që bëhet fjalë për një ekip të organizuar e cilësor që ka në radhët e veta lojtarë nga Spanja, Greqia e Bosnja. Por edhe ekipi ynë, Prishtina, është cilësor”.
“Në radhët tona kemi lojtarë kualitativë. Pritet lojë e fortë në mes dy ekipeve më të mira në Kosovë, Prishtinës e Besës”, ka thënë Kabashi.