Telegrafi

Kabashi kalon te Dinamo Bukureshti: Jam shqiptar, menaxheri më mashtroi kur i dërgoi letër FSHF-së

Dinamo Bukuresht ka nënshkruar me Elvis Kabashin, pasi që kohë më parë në radhët e veta e kishte ofruar Naser Alijin.

Kabashi që ka pasur një karrierë në rënie, pasi që ka qenë pjesë e Juventusit në të shkuarën.   Ai e kishte refuzuar Shqipërinë sa ishte pjesë e shpresave, për t’i mbrojtur ngjyrat e Italisë.

Nga atëherë karriera e tij ka pasur vetëm zbritje dhe shpreson që tanimë të shpërthejë me Dinamon në Rumani.

“Unë nuk e kam refuzuar Kombëtaren shqiptare. Ishte menaxheri im, me të cilin kam akoma gjyqe për të mbyllur, ai që e dërgoi atë letrën në federatë. Unë mora ftesë nga Italia dhe e refuzova, për të qenë pjesë e Shqipërisë”.

“Unë jam shqiptar, të gjithë miqtë e mi të ngushtë janë shqiptarë. Dëshira ime ka qenë gjithmonë të luaj për Shqipërinë”, tregon Kabashi për Telesport.

“Menaxherët dhe disa zgjedhje të gabuara më kanë lënë mbrapa. Kur ika nga Juventusi për herë të parë, doja të zgjidhja Empolin dhe jo Pescaran, ashtu siç donte menaxheri”.

Rugani dhe Kabashi

“Mbase do ishte më ndryshe për mua, sepse do kthehesha te klubi ku jam rritur. Tani çdo gjë ka kaluar, kam firmosur me një klub të madh si Dinamo e Bukureshtit”.

“E dëgjova që ditët e para që këtu ka bërë histori një shqiptar si Sulejman Demollari. Babai im ka ardhur në Itali në vitet 90′ me anijet e para. Unë kam lindur këtu, por e ndjej veten shqiptar, kam gjak shqiptari”, shprehet Kabashi. /Telesport/