Site icon Telegrafi

“Më ka vjedhur 78 mijë euro”: Akuza që policia ndaloi ish-deputetin Eduard Ndocaj

Ish-deputeti Eduard Ndocaj ndalohet nga policia pas denoncimit të bërë nga një italian se i ka marrë nëpërmjet mashtrimit 78 mijë euro.

Lapsi.al mëson se denoncimi i italianit është bërë në policinë e Lezhës e cila e ka futur emrin e Ndocajt në listën e të kërkuarve.

Një ditë më parë ish-deputeti i Lezhës është ndalur në portin e Durrësit ku ishte paraqitur për të udhëtuar drejt Italisë.

Në njoftimin zyrtar thuhet se “në PKK Port, Durrës, u kap shtetasi në kërkim E.N, vjeç 42, banues në Manati Lezhë, pasi dyshohet se nëpërmjet mashtrimit në Itali, i ka vjedhur një shtetasi italian një shumë eurosh. Në përfundim të veprimeve të kryera nga D.V.P Lezhë ndaj shtetasit E.N u referuan materialet në Prokurori dhe ndiqet në gjendje të lirë”, thotë njoftimi i policisë.

Pas publikimit në media ka ardhur edhe reagimi i Ndocajt.

Në faqen e tij zyrtare u postua një foto ku shkruhej: “Nuk ka asnje ndalese apo arrest per ish deputetin Eduart Ndocaj. Kjo foto eshte live nga trageti qe po udheton drejt Italise. Sa i perket ceshtjesh ne fjale se shpejti do te publikojme nje deklarate nga avokati i tij ne Shqiperi. Mediat eshte mire te bejne verfikime para se te nxjerrin lajmin. Kjo eshte abc e gazetarise serioze”(sic), thuhet në reagimin e Ndocajt.

Lapsi.al shkruan se në padinë e tij shtetasi italian ka deklaruar se Ndocaj i ka premtuar marrjen e një tenderi për shtrimin e një gazsjellësi në Shqipëri.

Burimet thanë se pas ndalimit në Durrës, Ndocaj është shoqëruar për në Lezhë ku pasi i është marrë deklarata është lënë i lirë, ndërsa hetimet vazhdojnë.

Exit mobile version