Telegrafi

Ka takuar personalitete të politikës, shkencës, artit dhe sportit – ky është rrëfimi i kosovarit që udhëtimin me aeroplan e ka rutinë ditore (Foto)

Udhëtimet me aeroplan për shumë persona janë shumë sfiduese, madje edhe stresuese, por ka njerëz të cilët fluturimet me aeroplan i kanë rutinë për shkak të punës që bëjnë.

Personi, të cilit fluturimet me aeroplan i janë bërë tash e gjashtë vite rutinë, duke udhëtuar madje edhe disa herë brenda ditës është Ylli Musliu.

Ai është edhe stjuardi i parë në Republikën e Kosovës, i cili punon për kompaninë ajrore “Adria Airways”.

Gjatë një bisede për Telegrafin, Musliu ka treguar se deri tash ka realizuar mijëra fluturime, ku gjatë udhëtimeve ka pasur situata të ndryshme madje mjaft emocionuese.

Ai thotë se puna e stjuardit kërkon saktësi dhe seriozitet në punë.

Madje duhet poseduar edhe disa aftësi specifike. “Tash e 6 vite janë bërë që unë jam stjuard. Gjithmonë kam dashur të jem pilot i aeroplanit, por si pasojë e okupimit dhe mos mundësisë së shkollimit për pilot kam zgjedhur të ushtrojë këtë profesion. Puna e stjuardit ka të bëjë kryesisht me sigurinë, vigjilencën dhe aftësitë për zbulim, parandalim si dhe kërkon kujdes të jashtëzakonshëm dhe gatishmëri për çdo lloj situate në aeroplan”, tha Musliu.

Në udhëtimet ditore Ylli ka treguar se ka takuar shumë personalitete të politikës, shkencës, artit dhe sportit.

Ai i ka pasur në aeroplan në mesin e shumë personaliteteve edhe Madeleine Albright, Rita Ora, Majlinda Kelmendin, futbollistin e Kombëtares Shqiptare, Odise Roshin, aktorët e grupit “Stupcat”.

Gjatë udhëtimeve të tij, Musliu ka arritur të hipë në njërin prej aeroplanëve më modern të llojit “Boeing 757”, me të cilin udhëtojnë vetëm më të pasurit e botës.

Stjuardi Ylli Musliu ka treguar se ky aeroplan është special.

“Avioni ka patentën që e bënë të mundshme udhëtimin përreth botës pa asnjë kufizim në asnjë shtet të botës”, theksoi ai duke shtuar se ky aeroplan është ndër të pakët që mund t’i përdorë secili aeroport i botës pavarësisht mosmarrëveshjeve politike mes shteteve.

“Ky aeroplan me të vërtetë është special, pasi ka komoditetin special gjatë udhëtimit dhe atë e përdorin vetëm miliarderët. Në këtë aeroplan kam arritur të hyjë falë njohurive të mia të gjuhës angleze ku kam bërë edhe fotografi”, ka thënë Musliu.

Udhëtimet me këtë aeroplan mund të kenë një kosto relativisht të lartë, që kapin shumën prej mijërave eurove.

Ylli Musliu ka thënë se puna në aviacion prej më shumë se gjashtë viteve ka bërë që gjatë udhëtimeve të kenë raste të ndryshme.

Sipas tij, gjatë një udhëtimi, i ka rastisur ta ndihmoj një personi më nevoja të veçanta, i cili e ka emocionuar shumë.

“Ishte me nevoja të veçanta dhe nuk mund të shkonte vet në tualet. Pasi e pash gjendjen e tij, e kam dërguar në tualet dhe kur e ktheva në ulëse, pas pak kohe i kishte nxjerr 20 euro dhe donte t’i mi jepte si shpërblim. Në ato momente kanë filluar të më rrjedhin lotët. Edhe pse me lot, jam ndier si personi më i lumtur në botë që pata mundësi ta ndihmoj një njëri me asi nevojash”, ka treguar ai për Telegrafin.

Por një punë tjetër të cilën e bënë mjaftë me përkushtim Ylli Musliu është edhe ajo mësimdhënies, ai tash e disa vite është profesor i Gjuhës Angleze në Shkollën e gjuhëve të huaja “The Cambrige Shcool” në Prishtinë.

Mësimdhënia sipas tij, është mjaftë e veçantë pasi bartë njohurit e tij për anglishten tek gjeneratat e tjera. /Telegrafi/