Masat a reja të qeverisë kundër përhapjes së coronavirusit qytetarët po i zbatojnë pjesërisht.
Në sheshet e qyteteve të Kosovës janë parë qytetarë që nuk po i zbatojnë këto masa, por në të njëjtën kohë edhe pjesëtarët e policisë janë parë duke i detyruar qytetarët të zbatojnë masat.
Pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë dalë sot nëpër sheshe duke detyruar qytetarët e Kosovës që nuk po mbanin maska të vendosin ato.
Një qytetarë nga Prishtina thotë se që nga dalja e policisë në sheshe masat po respektohen më shumë.
“Masat e vendosura duhet të respektohen patjetër pasi pandemia nuk zgjedh njerëz”, shprehet qytetari Besim Fushtica, për RTV Dukagjinin.
Edhe në Vushtrri pat persona që nuk mbanin maska madje ka prej tyre që nuk besojnë se ekziston virusi, përcjell telegrafi.
“Nuk frikohem nga virusi dhe fort nuk e besoj që ka virus. Kohëve të fundit më shumë kjo punë është bërë politikë. Nuk e besoj sepse njëherë thanë përhapet me prekje, tash po thonë përmes ajrit. Njerëzit që po preken nga ky virus dhe po vdesin nuk po tregohen, thua se nuk kanë emër apo mbiemër”, deklaroi për RTV Dukagjinin qytetari i Vushtrrisë Agim Shala.
Pronarë të lokaleve në Fushë Kosovë dhe Mitrovicë thonë prapa kamerave për RTV Dukagjinin se gjatë ditës ka pasur inspektim të shtuar nga zyrtarët përkatës./RTV Dukagjini/Telegrafi/