Site icon Telegrafi

“Ka me pas shumë akuza, ndoshta edhe arrestime – arma e fundit e opozitës”, “po i ngushtohet rrethi mafisë energjetike” – deklaratat nga pushteti dhe opozita pas intervistimit të Dejona Mihalit

Të premten për disa orë në Prokurorinë Speciale të Kosovës është invervistuar Dejona Mihali nga Lëvizja Vetëvendosje.

Pas intervistimit disa orësh, koordinatorja e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali në një përgjigje të shkurt për media ka thënë se është intervistuar për zbardhjen e së vërtetës.

Ajo nuk ka pranuar të flasë lidhur me atë se për çfarë të vërtete bëhet fjalë.

“Jam intervistuar për zbardhjen e së vërtetës…”, tha ajo.

E pyetur nga gazetarët për cilën të vërtetë është fjala, ajo tha “duhet ta pyesni Prokurorinë”.

Mihali tutje u pyet për mesazhet e saj me ish-kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqin, por nuk u përgjigj.

“Gjithë të mirat…Mirupafshim…Punë të mbarë”, ishte fjalia e Mihalit.

Gjatë kohës së Mihali ishte në intervistim me një deklaratë të shkurt kanë dalë edhe nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

“Pas interesimit për të marr informacion nga një numër i madh i gazetarëve, Prokuroria Speciale informon se sot, Dejona Mihali, është paraqitur në Prokurorinë Speciale me ftesë të kësaj prokurorie.

E njëjta është duke u intervistuar në cilësinë e dëshmitares për disa çështje penale, të cilat kjo prokurori i ka në hetim”, thuhej në njoftim.

E pas këtyre zhvillimeve, ka reaguar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi.

“Kur Gjykata Kushtetuese merr ndonjë vendim që duket në favor të Qeverisë, menjëherë pasojnë dy-tri vendime kundër kushtetuese ndaj Qeverisë, ndonëse ligjet janë të drejta.

Një analizë e thjeshtë:

A e ka bë Prokuroria Speciale një aktakuzë super të vonuar ndaj aktit terrorist në Banjskë, të kryesuar nga Radoiçiqi?

Tash, Blerim Isufaj, i cili nuk është emëru Kryeprokuror, thotë kështu: po e bëjmë edhe ne një aktakuzë të madhe (të cilën me siguri se ka bë vetë, por i kanë ndihmu shtetet tona partnere), mirëpo 5 muaj para zgjedhjeve e fton në Prokurori, Dejona Mihalin.

A e dini çfarë mesazhi është ky?

Kjo do të thotë që, unë, Blerim Isufaj dhe ne e gjithë PDK e LDK, që jemi në Prokurori e nëpër Gjykata, do ta luftojmë Lëvizjen VETËVENDOSJE!, sidomos në këtë kohë fushate. “Fundja, s’ka lidhje pse janë të pafajshëm. Ne e kemi fuqinë të dërgojmë njerëz në burg edhe pa faj.” – po nënkuptohet kjo punë.

Me pak fjalë,

Të dashur qytetarë,

Ka me pas shumë akuza, ndoshta edhe arrestime, mirëpo ka vetëm një gjë: kjo është arma e fundit e opozitës, Prokuroria e kapur. S’është asnjë e vërtetë!.

Ndërkaq, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar pas raportimeve që zyrtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali po intervistohet nga Prokuroria Speciale, lidhur me dy raste të korrupsionit.

Haradinaj në reagimin e bërë në Facebook, ka shkruar se “po i ngushtohet rrethi Mafisë Energjetike”, tërthorazi duke iu referuar Mihalit.

“Veprimet e fundit të drejtësisë në Kosovë po i japin shpresë popullit për fuqinë e ligjit mbi të gjithë. Mafia Energjetike duhet të përballet me ligjin. Shteti ligjor dhe demokracia nuk dorëzohen para strukturave të dyshimta kriminale. Po i ngushtohet rrethi”, shkruan Haradinaj, transmeton Telegrafi.

Në anën tjetër, avokati Xhevdet Smakiqi deklaroi se, pavarësisht statusit të saj si dëshmitare, roli i Mihalit pritet të jetë më i madh.

Avokati Smakiqi për RTV Dukagjini deklaroi se roli i Mihalit në “mafien energjetike të Ballkanit” mund të jetë shumë më i madh se thjesht një dëshmitare.

Ai vlerësoi se Dejona Mihali, e cila ka mbajtur një profil të ulët gjatë viteve të qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje, është në realitet një figurë kyçe me fuqi të madhe në vendimmarrje politike dhe menaxhimin e zyrtarëve të kësaj partie në institucionet publike.

“Duke e parë që tri apo katër vitet e qeverisjes së VV-së Dejona si një person anonim, misterioz që është paraqitur në publik shihet edhe nga ana e të gjithë personave që marrin vesh në politikë se ajo është eprore e të gjithë zyrtarëve të VV-së nëpër institucione publike, qoftë nëpër ministri qoftë në komuna. Dhe ka një fuqi të madhe të vendimmarrjes politike”, tha Smakiqi. /Telegrafi/

Exit mobile version